FLASH :

Gramsh – Babë e bir ndezin zjarr në pyllin e Bersnikut të Poshtëm, arrestohet 26-vjeçari, procedohet penalisht i ati

Policia e Gramshit ka vënë në pranga një 26-vjeçar dhe ka proceduar penalisht babain e tij, pasi u kapën në flagrancë duke ndezur zjarr në pyllin e fshatit Bersnik i Poshtëm, njësia administrative Kodovjat. Nga përhapja e flakëve u dogj një sipërfaqe pyjore dhe u rrezikuan banesat përreth.

Në pranga përfundoi shtetasi F. S., 26 vjeç, ndërsa për babain e tij, R. S., 70 vjeç, nisi procedimi penal. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Policia e Elbasanit apelon që qytetarët të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Gjithashtu, fton denoncimin e çdo rasti në numrin 112, duke garantuar anonimatin dhe reagimin e shpejtë.