Kolumbia po përballet me krizën më të rëndë të sigurisë në dekada, pas dy sulmeve të koordinuara që kanë marrë jetën e të paktën 18 personave dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë.
Në qytetin perëndimor të Cali, një bombë shpërtheu pranë Shkollës Ushtarake të Aviacionit Marco Fidel Suarez, duke vrarë gjashtë persona dhe plagosur mbi 60 të tjerë, përfshirë civilë dhe duke shkaktuar dëme të shumta në banesa.
Autoritetet vendosën ligjin ushtarak në qytet, ndaluan përkohësisht hyrjen e kamionëve të mëdhenj dhe ofruan një shpërblim prej 10 mijë dollarësh për informacion.
Në një zonë rurale jashtë qytetit të Medellin, një sulm me dron ndaj një helikopteri policor shkaktoi vdekjen e 12 oficerëve. Sipas autoriteteve, sulmi u krye nga grupi gueril EMC, një fraksion i ish-FARC, ndërsa helikopteri ishte në mision për të asgjësuar plantacionet e kokainës.
Ministri i Mbrojtjes, Pedro Sánchez, e cilësoi shpërthimin në Cali si një “sulm terrorist” dhe fajësoi kartelin e narkotikëve nën komandën e Ivan Mordisco, ndërsa presidenti Gustavo Petro u shpreh se sulmet tregojnë se grupet e armatosura ilegale nuk duan të ndalojnë dhunën.
Në Kolumbi, përdorimi i dronëve në sulme ka ardhur në rritje vitet e fundit, me 115 incidente të regjistruara vetëm në vitin 2024-ën, shumica nga grupe të armatosura jashtë ligjit.
Autoritetet ushtarake dhe qeveritare kanë thirrur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë për të vendosur masa shtesë mbrojtjeje për qytetarët, duke premtuar se kriminelët do të ndëshkohen me forcën e ligjit.