FLASH :

Momenti kur taksisti pa letra godet dhe hedh pa ndjenja në tokë CEO-n e Biotech pas sherrit për qenin

Bryan Kobel, 45 vjeç, CEO i kompanisë bioteknologjike TC BioPharm, është sulmuar brutalisht në prill nga një shofer i Uber-it në Çarlston, Karolina e Jugut. Sulmi ndodhi pasi shoferi rus, Vadim Uliumdzhiev, që ishte ilegalisht në SHBA dhe përdorte dokumente false, refuzoi të pranonte qenin shërbimor të Kobel në makinë. Pas një debati të shkurtër, shoferi e goditi me kokë dhe grusht, duke e rrëzuar përtokë bashkë me qenin e tij. Kobel përfundoi në spital me plagë të rënda në kokë që kërkuan shtatë qepje, si dhe probleme të përkohshme me kujtesën, shikimin dhe të folurin.

Shoferi u arrestua dhe u akuzua për “second-degree assault and battery”, ndërkohë që u vendos në paraburgim federal nga ICE për shkak të statusit të tij ilegal. Kobel ka paditur Uber-in për “neglizhencë të rëndë”, duke e akuzuar se lejoi një person me dokumente false të punonte si shofer dhe se nuk mori masa pas ngjarjes. Ai gjithashtu kritikoi kompaninë pasi i bllokoi llogarinë pas incidentit, pavarësisht provave që dha për agresionin. Uber deklaroi se e dënon dhunën dhe se respekton ligjet për sigurinë, por nuk dha shpjegime se si shoferi arriti të kalonte filtrat e verifikimit. Ndërkohë, çështja penale kundër Uliumdzhiev pritet të shqyrtohet në gjykatën e qarkut në tetor.