Në Shkodër është ndezur sërish debati mbi simbolikat e së shkuarës komuniste. Një grup nostalgjikësh, të mbledhur përpara një flamuri të kuq dhe me thirrje të forta, kanë bërë publike kërkesën e tyre që monumenti i “Heronjve të Vigut” të rikthehet në qendër të qytetit. Në një video që po qarkullon gjerësisht në rrjete sociale, ata shfaqen duke mbajtur fjalime e duke e paraqitur kauzën e tyre si një “detyrë historike” për brezat e rinj.
Protestuesit theksojnë se heronjtë e rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore janë pjesë e identitetit të Shkodrës dhe se vendosja e monumentit do të përbënte “restaurimin e dinjitetit të qytetit”. Thirrja e tyre ka ngjallur menjëherë reagime të forta, duke ndarë opinionin publik mes atyre që e shohin si një akt nostalgjik për komunizmin dhe të tjerë që e konsiderojnë si ruajtje të kujtesës historike. Ky zhvillim pritet të nxisë një debat të ri politik e shoqëror mbi trajtimin e simboleve të periudhës komuniste në hapësirat publike të Shqipërisë.