FLASH :

Julia Fox thotë se është penduar për ndërhyrjet estetike: “I bëra për t’u pëlqyer burrave”

Julia Fox, e njohur më së shumti për rolin e saj në filmin Uncut Gems, ka folur hapur për ndërhyrjet plastike dhe mënyrën se si e sheh imazhin e saj sot. Në një rrëfim të bërë së fundmi, ajo pranoi se pendohet për disa nga ndërhyrjet kozmetike që ka bërë, përfshirë botox-in, liposucsion-in (heqjen e yndyrës së tepërt nga zona të caktuara të trupi), rinoplastikën (ndërhyrja kirugjikale në hundë) dhe fasetat dentare.

Siç shpjegoi vetë, këto vendime nuk erdhën si pasojë e një nevoje personale, por ishin rezultat i një presioni të fortë shoqëror që e bindi se duhej të dukej vazhdimisht joshëse për meshkujt, në mënyrë që të “mbijetonte”.

“Kur shoh dikë që nuk ka bërë asnjë ndërhyrje në fytyrë apo trup, kam dëshirë të kthehem pas në kohë dhe të jem ai lloj personi. Isha e fiksuar pas idesë se duhej të isha joshëse për burrat që të ekzistoja në këtë botë,” u shpreh ajo.

Tani që është 35 vjeç, Fox thotë se nuk është më aq e fiksuar pas pamjes së saj të jashtme. Edhe pse nuk përjashton mundësinë që në të ardhmen të konsiderojë sërish kirurgjinë kozmetike, ajo thekson se kjo nuk është një përparësi për të në këtë moment të jetës. Ajo çfarë e shqetëson më shumë është transparenca në lidhje me procedurat estetike.

Aktorja foli gjithashtu për gratë që po flasin hapur për ndërhyrjet që kanë bërë, duke thënë se kjo transparencë ndihmon në krijimin e standardeve më realiste të bukurisë.

“Më pëlqen shumë kjo qasje. Duhet të jemi të sinqerta. Gratë shpesh i vendosin njëra-tjetrës standarde, dhe nëse nuk jemi të qarta, çfarë mesazhi u dërgojmë të gjitha vajzave që pyesin veten pse nuk duken kështu?”, u shpreh ajo, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë që mbajnë figurat publike.

Fox nuk hezitoi të komentojë edhe për reagimet shpesh të ndara që ka marrë pamja e saj. Sipas saj, këto reagime flasin më shumë për perceptimet e të tjerëve sesa për të. 

“Për mua, kjo thotë më shumë për ta, sesa për mua,” u shpreh ajo.