FLASH :

Arbër Veliaj del nga SPAK, i shmanget pyetjes për transaksionet me Ajolën dhe ikën me shofer personal

Pas më shumë se pesë orësh në Prokurorinë e Posaçme, Arbër Veliaj, vëllai i kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, la ambientet e SPAK duke shmangur pyetjet e gazetarëve mbi transaksionet me Ajola Xoxën. Ai u largua me shofer personal, ashtu si edhe bashkëshortja e Erion Veliajt. Si ka mundësi që Ajola Xoxa dhe Arbër Veliaj, dy qytetarë të “thjeshtë” privatë, mbajnë që të dy shofer personal?

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Arbër Veliaj deklaroi se kishte shkuar “vullnetarisht për të sqaruar pozicionin” e tij dhe për të treguar bashkëpunim me institucionin. Kujtojmë se vetëm tre javë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi ankimimin e tij ndaj kontrolleve të ushtruara në dhjetor 2024 në banesat dhe bizneset e familjes Veliaj.

Më 23 korrik, Erion Veliaj u shpall zyrtarisht i pandehur për korrupsion, deklarim të rremë të pasurisë dhe pastrim parash. Ai ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, ndërsa në dosje është përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe disa biznesmenë, mes tyre Elman Abule, i cili është aktualisht nën arrest shtëpiak.