FLASH :

Zyrtare/ E papritur për kampionët e Egnatias, Regi Lushkja firmos në Iran

Regi Lushkja ka lënë Egnatian si kampion dhe është zyrtarizuar në Iran me Tractor FC. Ai gjen si kundërshtar Jasir Asanin, i cili firmosi me Esteghlal.

Mesfushori Regi Lushkja do të vijojë karrierën në kampionatin iranian. Egnatia bëri të ditur se është arritur marrëveshja me Tractor FC, ekip ku më parë janë aktivizuar edhe Sokol Cikalleshi e Ditmar Bicaj.

Edhe pse për mesfushorin e Egnatias u përfol shumë se mund të transferohej në Ukrainë ose Turqi, destinacioni i tij ishte Irani. “Faleminderit Regi Lushkja! Ju njoftojmë se është arritur marrëveshja me klubin iranian Tractor FC për transferimin e lojtarit. Suksese goalman!”, ka shkruar klubi në rrjetet sociale.

Lushkja do të ketë kundërshtar në Iran Jasir Asanin, i cili është pjesë e Esteghlal. 29-vjeçari Lushkja e ka filluar karrierën te Besa, për të vijuar më pas me Laçin, Sheriff Tiraspol, Tirana dhe më pas Egnatia. Sezonin e shkuar Lushkja luajti 46 ndeshje me rrogozhinasit, duke qenë protagonist në 20 gola, 16 të shënuar nga ai dhe katër asiste.