Uashingtoni dhe Brukseli kanë punuar për javë të tëra mbi deklaratën e përbashkët, pas takimit në Skoci mes Trump dhe von der Leyen. Përcaktohen termat e marrëveshjes në pritje të një teksti juridikisht të detyrueshëm.
U deshën gati katër javë për të gjetur gjuhën e përbashkët, por tani Uashingtoni dhe Brukseli kanë ndarë deklaratën e përbashkët që përcakton marrëveshjen mbi taksat doganore mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. Dokumenti është fryt i takimit në Skoci midis presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit amerikan, Donald Trump. Pas njoftimit të marrëveshjes për tarifat prej 15%, më 27 korrik, pasoi shumë konfuzion mbi sektorët dhe produktet e përfshira dhe ato të përjashtuara, mbi llogaritjet e përgjithshme të doganave dhe angazhimet reciproke. Vëmendje e madhe u përqendrua sidomos tek farmaceutika dhe gjysmëpërçuesit.
Nga takimi i sotëm në Bruksel i Coreper del dokumenti që përcakton pikat e marrëveshjes, e cila do të formalizohet më pas në një dokument juridikisht të detyrueshëm. Lajme të këqija për Italinë: vera, një nga zërat kryesorë të eksportit përtej oqeanit, nuk është e përjashtuar.
Angazhimet e BE-së: investime, blerje çipash, energji dhe pajisje ushtarake
Në draftin e deklaratës së përbashkët konfirmohet taksa doganore standarde 15% mbi mallrat europiane të eksportuara përtej oqeanit, që do të aplikohet edhe për sektorin farmaceutik dhe për industrinë e automobilave. Ndër angazhimet kryesore të Brukselit, eliminimi i doganave europiane për të gjitha mallrat industriale amerikane dhe konfirmimi i blerjes së gazit natyror të lëngshëm, naftës, produkteve të energjisë bërthamore për një vlerë totale prej 750 miliardë dollarësh deri në vitin 2028.
Sipërmarrjet europiane, sipas sinjalizimeve dhe vlerësimeve të BE-së, parashikojnë të investojnë rreth 600 miliardë dollarë në sektorë strategjikë në SHBA deri në vitin 2028. BE-ja më tej angazhohet të blejë të paktën 40 miliardë dollarë çipa të inteligjencës artificiale nga kompanitë amerikane për qendrat e llogaritjes europiane. Po ashtu premton të rrisë blerjet e pajisjeve dhe armatimit nga Uashingtoni.
BE-ja do të ofrojë gjithashtu qasje preferenciale për një gamë të gjerë produktesh peshkimi dhe bujqësore, nga arrat te mishi i derrit dhe i bizonit, nga vaji i farave të sojës te produktet e bulmetit, si dhe fruta e perime të freskëta ose të përpunuara.
Angazhimet e SHBA-së: ilaçet dhe makinat me taksë 15%
Edhe Shtëpia e Bardhë ka shpallur marrëveshjen mbi deklaratën e përbashkët. Shtetet e Bashkuara do të aplikojnë nga 1 shtatori vetëm tarifën e Kombit më të favorizuar për ilaçet gjenerike, për pararendësit kimikë, për avionët dhe përbërësit e tyre, si edhe për burimet natyrore të padisponueshme (si p.sh. lëvozhga e lisit) që vijnë nga Europa. Një garanci vjen më pas mbi përfundimin e hetimeve tregtare të Seksionit 232, që lidhen me produktet farmaceutike, gjysmëpërçuesit dhe drurin – të konsideruara si mallra strategjike – dhe që nuk do të sjellin për BE-në dogana më të larta se 15% në këta sektorë.
Tarifat prej 15% do të prekin gjithashtu makinat dhe pjesët e makinave europiane, me kusht që të pranohen dhe të njihen standardet reciproke SHBA-BE. Po ashtu, Uashingtoni angazhohet për një eksport më të madh të teknologjisë, me kusht që Europa të ngrejë standardet e saj të sigurisë.
Në dokument janë gjithashtu të pranishme një sërë angazhimesh reciproke për të ulur barrierat jotarifore – ato që lidhen me rregulloret e brendshme, normat, standardet e sigurisë dhe shëndetit –, për të negociuar një marrëveshje njohjeje reciproke mbi kibernetikën dhe një përpjekje për të garantuar mbrojtje të fortë të të drejtave të punës të njohura ndërkombëtarisht.