FLASH :

Putin, vasal i Kinës: Perëndimi përballet me “kurthet” e Kremlinit në negociatat e paqes

Corriere della Sera nga Federico Fubini

Putini, 3 vite luftë dhe një perandori e dështuar: Nga pushtues në vasal i Kinës

Vendosuni në vendin e Vladimir Putinit. Tre vite e gjysmë më parë ai nisi pushtimin e Ukrainës me një kolonë 60 kilometra të gjatë tankesh drejt Kievit, me synimin për të “denazifikuar” qeverinë dhe për ta “çmilitarizuar” vendin fqinj. Por pas një muaji luftimesh të ashpra në periferi si Hostomel, Irpin e Bucha, trupat ruse u tërhoqën, duke shënuar një dështim të plotë.

Në vend që të arrinte objektivat, Putin ka sakrifikuar mbi 250 mijë ushtarë rusë, me rreth një milion të plagosur — 15 herë më shumë se humbjet sovjetike në Afganistan. Rusia ka shpenzuar 500 miliardë dollarë jo për zhvillim, por për shkatërrim, duke u izoluar dhe rënë nën sanksione të ashpra. Pekini tashmë i dikton termat: Kina blen gazin e naftën me çmimet që dëshiron, e detyron Moskën të përdorë yuanin dhe po e zëvendëson industrinë vendase. Shitjet e kamionëve Kamaz kanë rënë me 50%, ndërsa ato kineze mbajnë tashmë 70% të tregut rus. Nga pretendimi për të rindërtuar një perandori, Putin është shndërruar në vasal të një tjetre.

Ukraina, ndërkohë, është më e militarizuar se kurrë, megjithëse Rusia kontrollon 12% të territorit (plus 7% të aneksuar që prej 2014-s). Por këto zona janë shpopulluar masivisht dhe kërkojnë investime kolosale për të rikthyer jetën. Putin ka fituar vetëm tokë të shkreta, me shumicën e popullsisë të larguar.

Nëse Rusia do të ishte një demokraci, edhe autoritare, Putin do të ishte rrëzuar për gabimet dhe krimet e tij. Por sistemi i mbyllur i Kremlinit e mban ende në pushtet. Dhe tani, Perëndimi përballet me një fazë kritike negociatash. Putin nuk pranon të dalë i mundur: ai kërkon heqjen e sanksioneve, njohjen e Krimesë dhe territoreve të pushtuara, si dhe refuzon çdo garanci reale sigurie për Ukrainën.

Ndërkohë, falë lëshimeve të Donald Trump, Putini nuk detyrohet as të shpallë armëpushim. Përkundrazi, ai synon të zvarrisë “bisedimet e paqes” për muaj të tërë, duke hedhur edhe më shumë ushtarë në front për të fituar avantazh dhe më pas ta shfrytëzojë në tryezën e negociatave. Ai shpreson që demokracitë të fokusohen tek bisedimet diplomatike dhe jo tek ndihma ushtarake për Kievin.

Strategjia e tij është e qartë: të vazhdojë agresionin ndërsa fshihet pas një procesi të stisur paqeje. Putin madje kërkon që garancitë e sigurisë për Ukrainën të jenë identike me ato të Stambollit 2022 — ku Rusia dhe Kina do të kishin të drejtë vetoje mbi mbrojtjen e Ukrainës. Në praktikë, agresori do të kishte të drejtën të paralizonte çdo garanci për viktimën.

Putini beson se Rusia ka ende një vit rezerva ekonomike, financiare e demografike për të përballuar luftën, përpara se edhe Kremlini të detyrohet të marrë një pauzë. Faza më dramatike e konfliktit fillon tani.