Raste të reja abuzimesh me dokumente të falsifikuara në procesin e dhënies së kredive kanë dalë në dritë pranë Raiffeisen Bank, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi praktikat e saj të brendshme.
Një qytetare nga Laçi, me inicialet Xh. Xh., është përballur me një situatë absurde: pas divorcit nga bashkëshorti i saj, ai arriti të marrë një kredi prej 900 mijë lekësh duke përdorur emrin e saj si bashkëkredimarrëse, edhe pse martesa ishte e zgjidhur ligjërisht me vendim gjykate. Për shkak të kësaj kredie, gruaja u përball me ecejakë të pafund për shlyerjen e borxhit dhe madje rrezikoi edhe humbjen e banesës.
Gjykata, pasi shqyrtoi rastin, vendosi në favor të saj duke i njohur të drejtën e dëmshpërblimit, pasi banka kishte pranuar dokumente të falsifikuara në dosjen e kredisë dhe nuk kishte kryer verifikimet e duhura.
Ky rast ngre sërish shqetësimin mbi mënyrën se si disa banka operojnë me dokumentacionin e kredive dhe nevojën për më shumë kontroll ligjor e institucional për të mbrojtur qytetarët nga abuzime të tilla.