Një investigim i BBC ka zbuluar se më shumë se 50 mijë punëtorë nga Koreja e Veriut po dërgohen në Rusi për të punuar në kushte çnjerëzore, duke mbushur boshllëkun e madh të fuqisë punëtore që Moska po përjeton për shkak të luftës në Ukrainë.
Punëtorët e arratisur kanë rrëfyer se punojnë mbi 18 orë në ditë, shpesh në errësirë dhe pa mjete sigurie, të mbikëqyrur nga agjentë të regjimit të Kim Jong Un-it. Ata flenë në kontejnerë të ndotur ose në godina të papërfunduara, ndërsa rrahjet dhe ndëshkimet fizike janë të zakonshme për këdo që përpiqet të pushojë. “Ishte sikur po vdisnim çdo ditë”, tha për BBC një prej tyre.
Shumica e pagës u konfiskohet nga shteti koreanoverior si “taksa besnikërie”, ndërsa pjesa që u mbetet u jepet vetëm nëse kthehen në vend, një mekanizëm për t’i penguar të arratisen. Megjithatë, disa prej tyre kanë arritur të shpëtojnë duke përdorur telefona të fshehtë dhe rrjete ndihmëse.
Sipas inteligjencës së Koresë së Jugut, vetëm vitin e kaluar Rusia pranoi mbi 10 mijë punëtorë verikoreanë, ndërsa pritet që ky numër të rritet ndjeshëm. Disa prej tyre janë vendosur në projekte ndërtimi, fabrika tekstilesh dhe qendra IT – në shkelje flagrante të sanksioneve të OKB-së që ndalojnë përdorimin e punës së tyre për të frenuar financimin e armëve bërthamore të Kim-it.
Ekspertët paralajmërojnë se ky bashkëpunim i Putinit dhe Kim Jong Un-it, që tashmë përfshin edhe furnizime me armë dhe ushtarë për luftën në Ukrainë, po krijon një formë të re skllavërie moderne, e cila mund të zgjasë shumë më gjatë se vetë konflikti.
