Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka përsëritur qëndrimin e tij kundër rikthimit të Turqisë në programin e avancuar të avionëve luftarakë F-35, duke theksuar se politika amerikane për këtë çështje mbetet e pandryshuar.
Një grup prej 40 ligjvënësish amerikanë, të udhëhequr nga demokrati Chris Pappas, i kërkuan Sekretarit të Shtetit Marco Rubio të mos lejojë Ankaranë të shkelë ligjet dhe politikat amerikane të sigurisë kombëtare. Në letrën zyrtare, Departamenti i Shtetit nënvizoi se çështja lidhet me blerjen nga Turqia të sistemit rus të raketave S-400, që solli sanksione sipas ligjit CAATSA dhe përjashtimin e saj nga programi F-35.
“Ne kemi shprehur pakënaqësinë tonë për blerjen e S-400 dhe kemi bërë të qarta hapat që duhet të ndërmerren si pjesë e zbatimit të sanksioneve,” theksoi Departamenti i Shtetit.
Megjithatë, SHBA kujtoi se Turqia mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s, me kontribute të dukshme në misionet e aleancës. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka justifikuar blerjen e sistemit rus duke thënë se SHBA refuzoi transferimin e teknologjisë për raketat Patriot, ndërsa Ankaraja synonte pavarësi më të madhe në mbrojtjen kombëtare.
Blerja e S-400 ka ngritur shqetësime serioze jo vetëm në Uashington, por edhe te aleatët e tjerë të NATO-s, për shkak të rrezikut të papajtueshmërisë së teknologjisë me avionët F-35.