Kryeministri Edi Rama publikoi së fundmi disa foto në rrjetet sociale, ku shihej një pjesë e asfaltuar e rrugës Qukës–Qafë Plloçë, duke e paraqitur si një hap drejt përfundimit të projektit. Ky segment prej afro 43 kilometrash, me dy korsi, supozohet të lidhë zonën e Qukësit në Librazhd me Qafë Plloçën në Pogradec, duke shkurtuar rrugën nga Tirana në Korçë.
Fillimisht, projekti nisi në vitin 2009 me financim nga buxheti i shtetit, por në terren u realizuan vetëm 2.9 kilometra. Më pas, qeveria iu drejtua huave ndërkombëtare. Përveç kredive të dhëna nga Banka Islamike për Zhvillim, Fondi OPEC dhe Fondi i Abu Dhabit, Fondi Saudit për Zhvillim ka qenë financuesi kryesor i këtij projekti. Vetëm në vitin 2022, u sigurua një hua e re prej 184 milionë rialësh sauditë (rreth 48 milionë dollarë), përveç rreth 160 milionë dollarëve të shpenzuar më parë. Në total, kostoja është rritur me mbi 60% krahasuar me planin e parë.
Ndërkohë që punimet nisën seriozisht vetëm pas vitit 2013, ndryshimet në projekt të ndërmarra nga qeveria aktuale sollën një shtesë prej 25 milionë dollarësh në buxhet, të mbuluar nga një tjetër kredi saudite në vitin 2014. Sipas kontratave, rruga duhej të përfundonte që në vitin 2018. Sot, shtatë vjet më vonë, ajo ende nuk është e hapur për qarkullim.
Skema e huave ka parashikuar një periudhë fillestare shtatëvjeçare në të cilën paguheshin vetëm interesat, pa prekur principalin. Ndërsa qytetarët presin prej më shumë se një dekade që rruga të bëhet funksionale, buxheti i shtetit vijon të shlyejë këste interesi për një vepër që ende nuk u shërben banorëve.