FLASH :

Izraeli do ta humbë luftën

Nga Maksi Çami

Dhuna izraelite nuk do të mund ta mposhtë reagimin botëror në rritje kundër pushtimit dhe gjenocidit në Gaza. Edhe pse i furnizuar pa kufi me armatime dhe mjete nga vendet perëndimore, dhe pavarësisht terrorit të ushtruar ndaj civilëve palestinezë, Izraeli nuk ka gjasa të përmbushë objektivin përfundimtar, pra shkatërrimin e Hamasit në Rripin e Gazës. Edhe nëse fiton çdo betejë ushtarake, ai do të humbasë luftën e shpallur kundër rajonit të tërë. Ngjarjet e fundit në Gaza dhe Izrael duken se do të kthehen në pikë kthese, si për fatin e gjenocidit, ashtu edhe për perceptimin ndërkombëtar të Izraelit duke e çuar drejt disfatës.

Masakrat e pandërprera kundër popullsisë së pambrojtur, veçanërisht ekzekutimi i të uriturve në kampet e ndihmës, kanë tronditur ndërgjegjen e opinionit publik global. Edhe pse Izraeli përkrahet nga qeveritë kryesore të Perëndimit si SHBA, Britania, Franca e Gjermania, publiku botëror, madje edhe vetë qytetarët e këtyre vendeve, nuk e pranojnë më propagandën pro-izraelite. Shumica e njerëzve po pozicionohen kundër gjenocidit, duke izoluar gjithnjë e më shumë Izraelin dhe aleatët e tij.

Shtetasit perëndimorë po dalin në rrugë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, të cilat vetë qeveritë e tyre po i nëpërkëmbin nën trysninë e lobit sionist. Sot është e qartë se jo vetëm vendet e Lindjes së Mesme varen nga Perëndimi, por edhe shumë qeveri të Perëndimit janë peng i interesave izraelite. Është paradoksale që superfuqitë e vetëshpallura botërore të duken kaq të pafuqishme e të detyruara të paguajnë një kosto kaq të lartë për të mbajtur gjallë politikën e Tel Avivit.

Qeveritë evropiane përpiqen të krijojnë përshtypjen se po dëgjojnë zërin e qytetarëve, por në realitet nuk arrijnë dot ta shtypin lëvizjen popullore. Ndërkohë, rrjetet sioniste vazhdojnë të kërcënojnë zyrtarë, burokratë, akademikë, artistë, sportistë e aktivistë, duke u përpjekur të imponojnë heshtje. Por për këdo është bërë e qartë se Izraeli dhe përkrahësit e tij nuk kanë asnjë legjitimitet moral. E vetmja gjuhë që zotërojnë është ajo e shtypjes, izolimit, urisë, shkatërrimit dhe gjakderdhjes.

Madje edhe vetë shoqëria izraelite po përçahet. Shumë ushtarë vuajnë nga trauma e disa shkojnë deri në vetëvrasje. Edhe në Perëndim, politikanë që detyrohen të lexojnë tekste të gatshme e që janë të vetëdijshëm për realitetin, e jetojnë situatën me turp dhe ankth. Në anën tjetër, çdo ditë shtohet numri i qytetarëve në vendet perëndimore që ngrihen kundër kasaphanës në Gaza. Narrativa izraelite është duke u shembur sepse publiku nuk i beson më mediave të kontrolluara dhe nuk i merr seriozisht politikanët që e justifikojnë gjenocidin. Gjendja në Gaza është e padurueshme.

Çdo ditë e më shumë njerëz në botë, qofshin myslimanë, të krishterë apo hebrenj, ndihen të detyruar të reagojnë ndaj urisë së miliona civilëve dhe masakrimit të fëmijëve. Gaza është plagë që dhemb për mbarë njerëzimin. Me kalimin e kohës, ndërgjegjja ndërkombëtare do të tejkalojë çdo llogari politike.Pikërisht për këtë arsye, Izraeli dhe përkrahësit e tij nuk kanë rrugë tjetër veçse të humbasin. Dhe, në fund, çdo individ e grup që mbart përgjegjësi për këto krime do të vihet para llogarisë.