NASA ka njoftuar se ka ndërtuar një model të avancuar inteligjence artificiale për të deshifruar sjelljen e Diellit. I quajtur Surya Heliophysics Foundational Model, sistemi është zhvilluar në bashkëpunim me IBM-në dhe është trajnuar me mbi nëntë vite të dhëna të mbledhura nga Observatori Dinamik Diellor i NASA-s. Fjala “Surya” në sanskritisht do të thotë “diell”.
Ky model ka aftësinë të analizojë shpërthimet diellore dhe të bëjë parashikime për mënyrën se si moti hapësinor mund të ndikojë teknologjitë kritike në Tokë, si sistemet e komunikimit, satelitët dhe rrjetet e energjisë. Surya gjithashtu mund të parashikojë ndikimin e rrezeve ultravjollcë mbi atmosferën e sipërme të Tokës dhe të llogarisë shpejtësinë e erës diellore.
“Në shoqërinë moderne, teknologjitë tona varen shumë nga kushtet në hapësirë. Ashtu siç parashikojmë motin në Tokë, ne duhet të kemi parashikime të sakta edhe për motin hapësinor”, u shpreh Joseph Westlake, drejtor i Divizionit të Heliofizikës në NASA.
Sipas agjencisë amerikane, Surya është i pari model bazë i këtij lloji që mund të studiojë drejtpërdrejt aktivitetin e yllit tonë dhe të japë paralajmërime me kohë të mjaftueshme për të mbrojtur infrastrukturën jetike. Për më tepër, modeli dhe të dhënat mbi të janë vënë në dispozicion të publikut në platformat Hugging Face, GitHub dhe bibliotekën TerraTorch të IBM, duke hapur rrugën edhe për kërkime të tjera shkencore mbi Tokën dhe planetet e tjera.