Qindra mijëra palestinezë po ikin me urgjencë nga Gaza pasi ushtria izraelite ka nisur fazën e parë të ofensivës tokësore të planifikuar. Trupat e Izraelit kanë hyrë tashmë në periferi të qytetit, pas ditësh të tëra bombardimesh e artilerie intensive, duke krijuar frikën e një masakre të re.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paralajmëroi se një sulm i plotë do të sjellë “vdekje dhe shkatërrim të pashmangshëm” dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi se po “shkurton afatet” për marrjen nën kontroll të “fortesave të fundit të terrorit në Gaza”. Mbi 60 mijë rezervistë janë thirrur për në shtator, ndërsa brigada të tëra tashmë veprojnë në lagjet Zeitoun dhe Jabalia. Ushtria izraelite pretendon se ka zbuluar tunele të armatosura, ndërsa civilëve u kërkohet të evakuohen.
“Luftë brutale kundër civilëve”
Hamas e akuzoi Netanyahun për “luftë brutale ndaj civilëve të pafajshëm” dhe për shpërfilljen e propozimit të ri për një armëpushim 60-ditor të paraqitur nga Egjipti dhe Katari. Sipas Hamasit, Izraeli është pengesa kryesore e çdo marrëveshjeje. Ndërkohë, ushtria izraelite deklaron se nuk do të pranojë më marrëveshje të pjesshme, por vetëm lirimin e të gjithë pengjeve.
Alarmin e japin Macron dhe Kryqi i Kuq
Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se ofensiva “mund të çojë vetëm në katastrofë për të dy popujt dhe të zhysë rajonin në një luftë të përhershme”. Edhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq lëshoi një deklaratë të fortë, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i luftimeve mund të thellojë një krizë tashmë katastrofike për 2.1 milionë banorët e Gazës.
Mbi 62 mijë të vrarë në Gaza që nga tetori 2023
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila citohet nga OKB-ja, të paktën 62,122 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë 1,200 izraelitë dhe u morën peng 251 të tjerë.
Vetëm të mërkurën, 20 gusht, u raportuan 25 viktima, përfshirë tre fëmijë dhe prindërit e tyre në kampin e refugjatëve Shati.
