FLASH :

Trump e quan Netanyahu “hero lufte”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka cilësuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu si një “hero lufte”, pavarësisht se ky i fundit është i shpallur në kërkim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) për krime të dyshuara lufte në Gaza.

Duke folur për radion konservatore pro-izraelite të Mark Levin, Trump u shpreh: “Ai është një njeri i mirë. Është aty duke luftuar… Është një hero lufte, sepse kemi punuar bashkë. Është një hero lufte. Mendoj se edhe unë jam.”

Trump hodhi poshtë përpjekjet për ndjekje penale ndaj Netanyahut, duke thënë se “po përpiqen ta fusin në burg”, ndonëse nuk ishte e qartë nëse i referohej çështjes në ICC apo procesit të korrupsionit që Netanyahu përballet në Izrael.

Në të njëjtën intervistë, presidenti amerikan tha se kishte punuar fort për lirimin e pengjeve izraelite nga Hamas, duke theksuar: “Unë jam ai që i solla të gjithë pengjet mbrapsht… Kam marrë aq shumë letra nga prindërit dhe fëmijët vetë. Asnjëri prej tyre nuk do të ishte kthyer, po të mos isha unë.”

Deklaratat e Trump kanë ngjallur debat, pasi përkufizimi i Netanyahut si “hero lufte” bie ndesh me akuzat ndërkombëtare për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në konfliktin në Gaza.