Nëse deri dje shqiptarët ankoheshin se po i qeverisin politikanë të korruptuar, sot Edi Rama ka shpikur “zgjidhjen magjike”: një qeveri me robotë. Kryeministri deklaroi se Inteligjenca Artificiale mund të fshijë nepotizmin, ryshfetet dhe konfliktet e interesit, madje hodhi idenë që një ditë të kemi edhe një “ministri të plotë të drejtuar nga AI”.
Në teori, robotët nuk marrin rroga, nuk kërkojnë tendera dhe as nuk shkojnë me valixhe parash në zyrat e ministrave. Por ironia është se shqiptarët e dinë mirë: edhe robotët, me “telekomandë”, do t’i kontrollojë vetë Rama. Pra, në vend të qeverisë që kemi, do kemi një “copy-paste” të së njëjtës gjë thjesht me emra futuristikë.
Ekspertët skeptikë kujtojnë se korrupsioni në Shqipëri është më i vjetër se vetë kompjuterët, ndaj të mendosh se një algoritëm do ta zhdukë me një të rënë butoni, është gallata më e madhe politike e vitit. Për disa, kjo është thjesht një provokim për të ndezur debatin; për të tjerët, një ide absurde që tregon deri ku ka arritur fantazia e qeverisë sonë.
Pyetja e madhe që mbetet është: a do të na shpëtojnë makinat nga njerëzit, apo do të bëhen thjesht vegla të tyre? Në Shqipëri, përgjigjja duket e thjeshtë edhe robotët, një ditë, do votojnë për PS.

