FLASH :

Shqipëria e ftuar nderi në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike ‘Périgord Noir’ në Francë

Nga 3 deri më 17 gusht, Shqipëria u prezantua me krenari në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike “Périgord Noir”, një nga ngjarjet më të njohura muzikore të Francës, e cila zhvillohet në rajonin piktoresk të Dordogne. Kjo pjesëmarrje e Shqipërisë në këtë festival që ndërthur traditat, kulturat dhe historitë e Mesdheut përmes një programi të pasur muzikor dhe artistik, është pjesë e nismës CulturAlb, projektit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e cila ka për qëllim promovimin e kulturës shqiptare jashtë vendit.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se gjatë fundjavës së kaluar, kuarteti i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura performoi së bashku me mezzo-sopranon Flaka Goranci. Interpretimi i tyre i titulluar “Melodi Shqiptare” riktheu në skenë thellësinë e zërit dhe fuqinë e këngëve popullore shqiptare. Përkrah Gorancit ishin edhe Vilson Guri, Erbi Piranaj, Stela Bello dhe Bashkim Kupi, të cilët sollën një program që kremtoi dashurinë, natyrën dhe jetën, duke e bërë muzikën të lirë, të stolisur dhe të mbushur me nostalgji. Organizatorët e festivalit vlerësuan interpretimin e artistëve shqiptarë si një zbulim të një universi tingullor të rrënjosur thellë në shpirtin e popullit.

Më 16 gusht, festivali organizoi një takim letrar të fokusuar te veprat e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare. Në aktivitet morën pjesë violinisti Tedi Papavrami dhe shkrimtarja Ornela Vorpsi. Papavrami u shfaq jo vetëm si interpretues, por edhe si përkthyes i veprave të Kadaresë. Përpara diskutimit letrar, violinistja e re shqiptare Vesa Dume, vetëm 13 vjeçe, performoi një koncert të shkurtër që mahniti audiencën.