FLASH :

Apple do t’i prodhojë të 4 modelet e iPhone 17 në Indi për të shmangur tarifat

Apple ka nisur prodhimin e të katër modeleve të iPhone 17 në Indi përpara prezantimit të tyre në shtator, sipas Bloomberg. Ky është një hap i parë për kompaninë, që synon të zbusë ndikimin e tarifave të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump mbi produktet e prodhuara në Kinë.

Prodhimi po zhvillohet në pesë fabrika indiane: gjysma menaxhohet nga Tata Group në Tamil Nadu, ndërsa pjesa tjetër nga Foxconn pranë aeroportit të Bangalore. Ky zhvendosje shënon një pikë kthese të rëndësishme për Apple, e cila deri tani e kishte mbajtur Kinën si qendër kryesore të prodhimit të saj.

India është tashmë prodhuesi kryesor i smartfonëve të dërguar drejt SHBA-së, me një rritje prej 63% të prodhimit të iPhone-ve për eksport (rreth 7.5 miliardë dollarë) në tremujorin e dytë të vitit 2025. Analisti i Omdia, Sanyam Chaurasia, e cilësoi këtë si një “moment historik” në industrinë globale, duke theksuar se prodhimi indian është fokusuar sidomos tek modelet e konsoliduara dhe ato për tregjet ndërkombëtare.

Megjithatë, Kina do të mbetet epiqendra e inovacionit dhe prodhimit të modeleve kryesore të Apple. Chaurasia theksoi se tendenca është e qartë: qendra e gravitetit të prodhimit po zhvendoset drejt një modeli të shpërndarë në disa vende.

CEO i Apple, Tim Cook, kishte paralajmëruar më herët se kompania do të zhvendoste pjesën më të madhe të montimit të iPhone-ve për SHBA në Indi për të shmangur tarifat. Vetëm në periudhën janar–qershor 2025, numri i iPhone-ve të prodhuar në Indi për tregun amerikan u rrit me 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Megjithëse Kina mbetet prodhuesi kryesor për tregjet jo-amerikane, India është shfaqur si alternativa më kritike në strategjinë e Apple për ndërtimin e zinxhirëve paralelë të furnizimit dhe reduktimin e varësisë nga një treg i vetëm.