FLASH :

Izraeli mobilizon 60 mijë rezervistë për ofensivën e re në Gaza City – paralajmërime për katastrofë humanitare

Izraeli ka shpallur mobilizimin e 60 mijë rezervistëve në prag të një ofensive tokësore të përmasave të mëdha për të pushtuar dhe kontrolluar të gjithë Gaza City. Sipas ushtrisë izraelite, plani i miratuar nga ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, do të përfshijë pesë divizione dhe është pjesë e fazës së radhës së operacionit “Qerret e Gideonit”, që nisi në maj.

Operacioni pritet të shoqërohet me evakuimin e qindra mijëra palestinezëve drejt jugut të Gazës, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar ka reaguar ashpër. Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se ofensiva “mund të çojë vetëm drejt katastrofës për të dy popujt dhe ta zhysë rajonin në një luftë të përhershme”. Edhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se zhvendosjet masive dhe intensifikimi i luftimeve “rrezikojnë ta përkeqësojnë një situatë tashmë katastrofike”.

Sipas OKB-së, Gaza përballet me një krizë të thellë humanitare, ku mijëra familje janë të bllokuara pa ushqim, ujë dhe ndihmë mjekësore, ndërsa nivelet e kequshqyerjes kanë arritur përmasa emergjente. Ndërkohë, ushtria izraelite ka rifilluar operacionet në Jabalia dhe periferi të qytetit, duke shkatërruar tunele dhe objektiva të Hamasit.

Izraeli këmbëngul se synimi i tij është shkatërrimi i Hamasit dhe lirimi i të gjithë pengjeve, ndërsa ndërmjetësit Katar dhe Egjipt po përpiqen të arrijnë një armëpushim 60-ditor me lirimin e një pjese të pengjeve. Megjithatë, Tel Avivi refuzon një marrëveshje të pjesshme dhe kërkon lirimin e plotë të tyre.