FLASH :

Izraeli sulmon diplomatikisht aleatët perëndimorë përpara njohjes së shtetit palestinez – Letra e Netanyahut ndez përplasjet me Francën dhe Australinë

Izraeli ka nisur një ofensivë të ashpër diplomatike ndaj disa prej aleatëve të tij perëndimorë, të cilët muajin e ardhshëm pritet të njohin shtetin palestinez. Kryeministri Benjamin Netanyahu u dërgoi dy letra të forta presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit australian Anthony Albanese, duke i akuzuar se me këtë vendim po “nxisin antisemitizmin” dhe po “shpërblejnë terrorizmin e Hamasit”.

Në letrën drejtuar Macron, Netanyahu shkruan se njohja e shtetit palestinez “hedh benzinë mbi zjarrin e antisemitizmit” dhe “inkurajon urrejtjen ndaj hebrenjve në rrugët e Francës”. Elysee reagoi menjëherë, duke e quajtur letrën “të papranueshme” dhe duke theksuar se Franca ka mbrojtur dhe do të mbrojë gjithmonë qytetarët e saj hebrenj. Në Australi, tensionet u thelluan edhe më shumë pasi qeveria e Albanese refuzoi vizën për një deputet të ekstremit të djathtë izraelit, duke shkaktuar reagimin e Netanyahut, i cili e quajti kryeministrin australian “politikan i dobët”

Franca, Australia, Kanadaja dhe Portugalia kanë njoftuar se muajin e ardhshëm do të njohin zyrtarisht Palestinën, duke iu bashkuar mbi 140 vendeve që tashmë e kanë bërë këtë. Mbretëria e Bashkuar ka thënë se njohja do të ndodhë vetëm nëse Izraeli pranon një armëpushim në Gaza. Data e shpalljes pritet të përkojë me hapjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 23 shtator.

Nga ana tjetër, Izraeli dhe SHBA e kanë dënuar këtë nismë duke e cilësuar si “shpërblim për Hamasin” që do të dëmtojë përpjekjet për paqe. Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar ka reaguar duke revokuar vizat e rezidencës për përfaqësuesit australianë në Autoritetin Palestinez, ndërsa Netanyahu i është kundërpërgjigjur publikisht Albaneses duke e akuzuar se “tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë australianë”. Në këtë klimë tensioni, shumë liderë perëndimorë kanë shprehur hapur kritika ndaj Netanyahut, me kryeministrin e Zelandës së Re që deklaroi se ai “e ka humbur arsyen” dhe kryeministren e Danimarkës që tha se “Netanyahu është bërë problem më vete”.