FLASH :

Lamtumirë kampionit: Ndahet nga jeta në moshën 72-vjeçare Virxhil Maçolli, legjenda e mundjes pogradecare

Ndahet nga jeta krejt papritur në moshën 72-vjeçare, Virxhil Maçolli(Xhili) nga emrat më të njohur të mundjes pogradecare por jo vetëm edhe asaj shqiptare. Ish mundësi kampion prej vitesh jetonte në SHBA, por së bashku me një tjetër emër të madh të mundjes Xhelil Cibaku merreshin me historikun e mundjes pogradecare.

Pak ditë më parë të dy së bashku kanë pasur një takim me kryebashkiakun e Pgradecit Ilir Xhakolli të cilit i kanë kërkuar mbështetje për të rikthyer sportin e mundjes në qytetin liqenor.

Fjala e Maçollit në këtë takim është pritur ngrohtë nga të gjithë pasi historia e mundjes në Pogradec është e madhe, siç është e tillë historia e një mundësi Virxhil Maçolli.

Kur të gjithë prisnin që Maçolli të rikthente sërish tapetin e mundjes në Pogradec, krejt papritur historia e mundjes së këtij qyteti na la të gjithëve.

Me gjithë ndihmën e dhënë nga mjekët në QSUT, goditja kardiake ka qenë e fortë saqë mjekët e kanë pasur të pamundur ta mbanin në jetë.

Virxhil Maçolli do të kujtohet për gjithçka i dha sportit pogradecar të mundjes. Tashmë dikush tjetër duhet të marrë përsipër rikthimin e mundjes edhe për të plotësuar amanetin e ish kampionit të mundjes pogradecare.