FLASH :

Skandal në klubin e Athinës: 19-vjeçarja denoncon përdhunim nga efektivi i policisë, por në dosjen greke fajësohet i dashuri shqiptar

Një 19-vjeçare ka tronditur opinionin publik në Greqi me denoncimin e saj për një tentativë përdhunimi që thotë se ndodhi në një nga klubet më të njohura të natës në qendër të Athinës. Vajza, një estetiste e re, ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Athinës, ku përshkruan se u sulmua fizikisht dhe seksualisht nga një burrë 34-vjeçar në zonën e tualeteve, në prani të një miku të tij që rezulton të jetë efektiv policie jashtë shërbimit.

Sipas saj, sulmi ndodhi në orën 05:10 të mëngjesit të 21 qershorit 2025. Teksa ishte nisur për në tualet, burri i panjohur e kapi nga krahu, e ngacmoi seksualisht dhe e fyeu rëndë me një gjuhë të papërshtatshme. Ai tentoi të hynte me forcë bashkë me të në tualet, por 19-vjeçarja arriti të mbyllet brenda, në gjendje paniku. Ajo i dërgoi mesazh të dashurit të saj, i cili e ndihmoi të largohej nga ambienti. Pavarësisht kërkesës për ndihmë, stafi i klubit refuzoi të largonte agresorët dhe madje sugjeroi që vajza dhe i dashuri i saj të largoheshin.


Dy versione të ndryshme: Kush po thotë të vërtetën?

Denoncimi mori edhe më shumë rëndësi pasi njëri prej të akuzuarve rezulton të jetë efektiv policie. Por versioni i paraqitur në dokumentet zyrtare të policisë nuk përmend fare tentativën e përdhunimit. Sipas raportit, sherri nisi pasi 34-vjeçari – i përmendur si mik i policit tentoi të ofronte një pije për shoqërinë e vajzës, por u përball me reagim të ashpër nga i dashuri i saj, një boksier shqiptar me precedentë penalë. Në dokument thuhet se ky i fundit i ka goditur pa provokim të dy burrat, duke i lënë të gjakosur dhe të shtrirë në dysheme.

Vetëm disa javë më vonë, më 14 korrik, boksieri shqiptar u arrestua në lagjen Neos Kosmos pas një ndjekjeje nga policia, ndërsa në banesën e tij u gjetën sasi të mëdha kokaine, meth, steroide dhe pajisje për peshim droge. Ai ishte arrestuar edhe më herët për dhunë në një spital në Haidari në vitin 2024.

Ngjarja vazhdon të hetohet, ndërsa shfaqet si një përplasje e ashpër mes pretendimeve për dhunë seksuale nga njëra anë, dhe dhunë fizike ndaj policisë nga ana tjetër. Shqetësim të madh ngre edhe fakti që policia greke nuk përfshiu në raport akuzat për tentativë përdhunimi, duke lënë të kuptohet një mbrojtje të mundshme për efektivin e përfshirë në incident.