FLASH :

Google përditëson kushtet për tregun e aplikacioneve pas presionit të BE-së

Google ka njoftuar se do të bëjë ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si zhvilluesit e aplikacioneve operojnë në sistemin Android, pas akuzave nga Komisioni Evropian për shkelje të Ligjit të Tregjeve Dixhitale (DMA). Gjigandi i teknologjisë do të lejojë zhvilluesit të drejtojnë përdoruesit jashtë ekosistemit të Google për të kryer blerje dhe transaksione, si dhe do të ulë tarifat e aplikueshme.

Në mars, Komisioni Evropian akuzoi kompaninë mëmë të Google, Alphabet, për orientimin e padrejtë të përdoruesve drejt shërbimeve të saj dhe për pengimin e zhvilluesve që të informonin klientët mbi alternativa më të lira jashtë Google Play. Sipas Komisionit, tarifat e ngarkuara nga Google përtej këtij procesi ishin të pajustifikuara.

Në një deklaratë, Clare Kelly, këshilltare e lartë e konkurrencës për Google në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, tha se ndryshimet përfshijnë përditësimin e Programit të Ofertave të Jashtme për BE-në, me tarifa të rishikuara dhe më shumë fleksibilitet për zhvilluesit. Ajo theksoi se vetëm për zhvilluesit evropianë, Google Play dhe Android kanë gjeneruar mbi 3 miliardë euro të ardhura.

Megjithatë, Google shprehu shqetësimin se këto ndryshime mund të ekspozojnë përdoruesit ndaj përmbajtjes së dëmshme dhe të ulin cilësinë e përvojës së aplikacioneve.

Rregullatorët evropianë kanë qenë veçanërisht aktivë pas hyrjes në fuqi të DMA-së në vitin 2023, duke vendosur gjoba të mëdha ndaj gjigantëve të teknologjisë. Vetëm këtë vit, Apple u gjobit me 500 milionë euro dhe Meta me 200 milionë euro për shkelje të ligjit.