Një nënë britanike ka rrëfyer traumën që përjetoi pas një ngjarjeje të paprecedentë, ku një efektiv policie i mori fshehurazi të brendshmet gjatë një kontrolli në banesën e saj. Marcin Zielinski, 27 vjeç, ish-polic i Hertfordshire Constabulary, u kap nga kamerat e brendshme teksa i fuste në xhep një palë të brendshme të Lea-Ann Sullivan, ndërkohë që kjo e fundit ndodhej në paraburgim për një çështje të pavarur, nga e cila më pas u lirua pa asnjë akuzë.
Zielinski pranoi fajësinë për vjedhje dhe abuzim me detyrën dhe u dënua me katër muaj burg. Por për viktimën dhe familjen e saj, dënimi ishte shumë i lehtë krahasuar me dëmin emocional. “Nuk fle dot natën. Ndihesha e përdhunuar psikologjikisht. E humba plotësisht besimin te policia”, u shpreh Lea-Ann, e cila pas ngjarjes i hodhi poshtë të gjitha të brendshmet dhe mobiljet ku polici kishte rrëmuar. Ajo madje u detyrua të përballej me një “paradë identifikimi” të të brendshmeve në një vend sekret, për të konfirmuar provën që Zielinski kishte marrë nga shtëpia.
Ngjarja preku edhe vajzën e saj 13-vjeçare me autizëm, e cila tani ka frikë të kontaktojë me policinë në rast nevoje. “Ajo është e bindur se nuk mund t’u besohet më, as burrave, as grave që vijnë me uniformë,” tha Lea-Ann. Oficeri u përjashtua nga radhët e policisë para se të dënohej, ndërsa vetë policia deklaroi se veprimi i tij përfaqëson një “tradhëti fundamentale ndaj publikut dhe besimit që i është dhënë forcës së rendit”.