Sarah Grace Patrick, një adoleshente 17-vjeçare nga Georgia, është përballur me një moment dramatik në gjykatë, pasi u njoftua se do të mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht, ndërkohë që akuzohet për vrasjen e nënës së saj, Kristin Brock, dhe njerkut, James Brock. Vajza, e cila fillimisht u paraqit në gjykatë me një buzëqeshje të gjerë, shpërtheu në lot sapo gjyqtari dha vendimin, ndërsa të afërmit e viktimave reaguan me psherëtima lehtësimi dhe falënderime të qeta.
Sipas autoriteteve, më 20 shkurt të këtij viti, çifti Brock u gjet i qëlluar me armë në gjumë në shtëpinë e tyre në Carrollton, rreth 70 km nga Atlanta. Sarah, që ndodhej në shtëpi në momentin e ngjarjes, ishte ajo që telefonoi 911, pasi motra e saj pesëvjeçare gjeti trupat e pajetë. Për muaj me radhë, ajo u paraqit publikisht si vajza e pikëlluar, madje kontaktoi kanale “true crime” në TikTok për të “ndihmuar” në zbardhjen e rastit. Por policia më pas tha se kishte në dorë një “mal provash” digjitale dhe fizike që çuan në arrestimin e saj më 9 korrik.
Gjatë seancës për kërkesën e lirimit me kusht, babai biologjik i Sarah-s, Doniel ‘DJ’ Patrick, u largua nga salla i përfshirë nga emocionet, ndërsa mbështetësit e saj u mblodhën jashtë me bluza që mbanin mbishkrimin “I Stand With Sarah Grace”. Në anën tjetër, dëshmitarja më prekëse ishte motra e viktimës, Kim Bowling, e cila përshkroi me dhimbje momentin kur imagjinon vëllain dhe kunatën e saj të përballen me vdekjen në gjumë, dhe traumën e thellë që do të mbetet te vogëlushja pesëvjeçare që i gjeti.
Avokatja mbrojtëse e Sarah-s paraqiti gjashtë dëshmitarë dhe tetë letra karakteri për të kërkuar lirimin e saj, duke pretenduar se ajo nuk përbën rrezik për shoqërinë. Por gjykatësi vendosi se shteti kishte “plotësuar barrën e provës” dhe vendosi që adoleshentja të qëndrojë në burg deri në gjyqin e saj, i parashikuar për 5 janar 2026. Deri atëherë, ajo do të mbahet në izolim për shkak të moshës dhe sigurisë.
Ndërkohë, Daily Mail ka zbuluar detaje të reja për fëmijërinë e trazuar të Sarah-s, përfshirë një betejë të ashpër kujdestarie mes prindërve dhe akuza për abuzim me drogë nga ana e nënës dhe njerkut. Familjarët e viktimave kanë hedhur poshtë çdo përpjekje për të zhvendosur fajin te e kaluara e tyre, duke e quajtur këtë “justifikim të padenjë” për një vrasje brutale.

