Një foto e publikuar nga vetë faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë ku presidenti amerikan Donald Trump ndodhet ulur në Resolute Desk, ndërsa liderët më të fuqishëm të Europës e rrethojnë duke e dëgjuar me vëmendje, ka bërë xhiron e botës dhe është kthyer në një demonstrim të qartë të fuqisë dhe dominimit të Trump në skenën ndërkombëtare.
Në pamje shihen kryeministri britanik Sir Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti finlandez Alexander Stubb, bashkë me presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky – të gjithë të mbledhur rreth Trump, ndërsa ai “mban gjyq”.
Fotoja është shpërndarë fillimisht nga Shtëpia e Bardhë në platformën X me përshkrimin: “Një ditë historike në Shtëpinë e Bardhë, teksa liderët europianë u bashkuan me Presidentin Trump në Zyrën Ovale.” Pamjet janë ripostuar menjëherë nga figura publike dhe analistë të njohur, përfshirë YouTuber-in konservator Benny Johnson, i cili e quajti këtë “imazhin më të fuqishëm të vitit 2025”.
Sociologu suedez Ashok Swain shkroi: “Liderët më të fuqishëm të Europës u ulën si nxënës të bindur, ndërsa Trump drejtonte seancën. A është kjo imazhi që Europa dëshiron të japë për veten?” Ndërsa në rrjete sociale, shumë komentues ironizuan: “Ai i telefonoi të shtunën dhe u tha: ‘Të hënën, të gjithë këtu.’ Dhe ata erdhën.”
Takimi në Zyrën Ovale vjen pas një samiti historik mes Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë, ndërsa liderët europianë kërkojnë të bindin presidentin amerikan që t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Sipas burimeve, administrata e Trump po e konsideron idenë e një “garancie kolektive” të stilit të Nenit 5 të NATO-s, por ka përjashtuar çdo përfshirje direkte të trupave amerikane në terren.
Ndërkohë, Zelensky është kthyer në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë që nga samiti i dështuar i shkurtit, ku ishte kritikuar ashpër nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance për mungesën e mirënjohjes. Këtë herë, presidenti ukrainas ka falënderuar shpesh dhe me kujdes, ndërsa është përpjekur të ruajë një ton diplomatik.
Fotot e reja të liderëve që “varetin nga çdo fjalë e Trump-it”, siç u përshkrua në media, u krahasuan me një tjetër moment të famshëm nga viti 2018 në G7, ku Angela Merkel qëndronte në këmbë mbi një Trump të ulur me krahët kryqëzuar. Sot, pozicioni është përmbysur – dhe është Trump ai që dominon pamjen.
Pas takimit, Trump konfirmoi se janë në përgatitje për një takim trilateral mes tij, Zelensky-t dhe Putin-it, ndërsa bisedimet për një paketë armësh me vlerë 90 miliardë dollarë për Ukrainën vazhdojnë.
Reagimi më i ashpër ndaj këtij zhvillimi erdhi nga zëvendëskryeministri rus Dmitry Medvedev, i cili shkroi në X: “Koalicioni anti-rus dështoi ta nënshtronte Trump në shtëpinë e tij. Europa falënderoi dhe i serviloset.”


