Pushimet e një të riu italian në jug të vendit përfunduan tragjikisht, pasi ai humbi jetën pas një kërcimi të rrezikshëm nga shkëmbinjtë në zonën turistike Lama Monachile në Polignano a Mare.
Francesco Aronica, 23 vjeç, lojtar futbolli amerikan me origjinë nga Catania, ndodhej me miqtë e tij për pushime kur vendosi të kërcente nga një lartësi prej 6 metrash – një veprim që i kushtoi jetën. Ai goditi kokën në një shkëmb dhe humbi ndjenjat sapo preku ujin.
Pamjet tragjike u panë nga turistë të shumtë që ndodheshin në vend, ndërsa shërbimet e emergjencës mbërritën shpejt për ta defibriluar në vendngjarje dhe e transportuan në gjendje kritike drejt spitalit në qytetin fqinj Monopoli. Përpjekjet e mjekëve për ta shpëtuar zgjatën mbi një orë, por fatkeqësisht Aronica ndërroi jetë në spital, në arrest kardiak.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka nxitur zemërim të madh në rrjetet sociale, me banorët që kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të këtij “sporti të rrezikshëm” dhe vendosjen e masave mbrojtëse si roje bregdetare dhe patrullime të përditshme.
“Është ndryshe kur hidhen profesionistët me pajisje dhe mbështetje. Por turistët duhet të tregojnë kujdes dhe të mos jenë të papërgjegjshëm”, deklaroi Anna De Donato, presidente e këshillit bashkiak të Polignano a Mare. “Jam nënë e një djali të kësaj moshe dhe e di që nuk dëgjojnë prindërit.”
Ndërkohë, kryebashkiaku Vito Carrieri pranoi se reagimi i shpejtë i mjekëve “nuk mjaftoi për të shmangur tragjedinë”. Më tronditëse është fakti që vetëm 24 orë pas ngjarjes, në të njëjtin vend u panë sërish të rinj duke u hedhur nga shkëmbi, të nxitur nga videot virale të eventeve si Red Bull Cliff Diving, që mbledh miliona shikime në TikTok dhe rrjete sociale.
Kritikat në rrjetet sociale kanë qenë të ashpra:
“Një djalë vdiq! Bashkia duhet ta ndalojë menjëherë këtë.”
“Është përgjegjësi e policisë që nuk vendos ndalimin.”
“Mund të vendoset një pengesë ose roje për të ndaluar ngjitjen në shkëmb.”
Ngjarja vjen në një verë tragjike për Italinë, ku janë regjistruar dhjetëra viktima nga mbytjet në det, liqene e lumenj – një vdekje çdo dy ditë.
Në vitin 2023, kryebashkiaku i Venecias, Luigi Brugnaro, e quajti “idiot” një turist që u hodh nga një çati trekatëshe në kanal – një video që u bë virale dhe ngjalli debat mbi kulturën e rrezikut për “klikime”.
Autoritetet lokale tani po përballen me presion në rritje për të marrë masa të menjëhershme, përpara se një tjetër tragjedi të ndodhë.