Nga Maksi Çami
Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë shënon një pikë kthese për marrëdhëniet mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Edhe pse samiti i NATO-s në Hagë, në qershor 2025, solli një frymëmarrje të përkohshme, shumëkush mendon se kjo mund të jetë nisja e fundit për aleancën transatlantike. Opinioni europian për SHBA-të kishte nisur të ndryshonte që përpara rikthimit të Trump. Një sondazh pas zgjedhjeve amerikane të nëntorit 2024 tregoi se vetëm 22% e qytetarëve në nëntë vende të BE-së e shihnin Amerikën si një aleat me interesa dhe vlera të përbashkëta, ndërkohë që 51% e konsideronin si një partner të domosdoshëm. Dy vite më parë, shifrat ishin 31% dhe 41%. Ky trend u thellua pas marrjes së pushtetit nga Trump. Një sondazh i marsit 2025 tregoi se gjysma e qytetarëve në këto vende e perceptonin Trump si armik të Europës.
Megjithatë, pothuajse të gjitha vendet europiane e shohin me shqetësim perspektivën e një tërheqjeje amerikane nga kontinenti, pasi lidhja me SHBA ka qenë për dekada shtylla qendrore e politikave të tyre të sigurisë. Dobësimi i kësaj garancie i detyron të gjithë të mendojnë për alternativa në një skenar të ri të paparashikueshëm.
Në Gjermani, ndikimi i Trump është ndier thellë. Pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, kancelari Friedrich Merz e cilësoi administratën e re amerikane si indiferente ndaj fatit të Europës. Planet për zgjerimin drastik të ushtrisë tregojnë se Gjermania po futet realisht në një rrugë të re. Nëse ky proces ecën, vendi pritet të kthehet shpejt në fuqinë ushtarake më të rëndësishme brenda NATO-s europiane. Edhe marrëdhëniet SHBA–Francë nuk kanë qenë kurrë të lëmuara, madje edhe gjatë viteve të Biden. Tërheqja kaotike nga Afganistani dhe partneriteti AUKUS, që i anuloi Francës një kontratë nëndetësesh me vlerë 66 miliardë dollarë, lanë gjurmë. Megjithatë, për Ukrainën dhe Rusinë, Parisi dhe Uashingtoni mbajtën një front të përbashkët. Ndonëse Macron ruan marrëdhënie personale korrekte me Trump, diferencat politike janë thelluar. Ukraina është kryefjala e këtyre dallimeve, por edhe frika nga një tërheqje amerikane nga Europa e shton tensionin.
Ku mbetet pra Europa? Vendet duhet të zgjedhin mes dy rrugëve. Ose të ruajnë lidhjet e forta me SHBA ose të nisin shkëputjen graduale. Në praktikë, shumica do të ndjekin një strategji të përzier. Nga njëra anë do të përpiqen ta mbajnë Amerikën në krah, ndërsa nga ana tjetër do të ndërtojnë një mbrojtje të besueshme dhe të pavarur europiane. Të dyja këto kërkojnë rritje të shpenzimeve ushtarake, por edhe kohë për të krijuar kapacitete reale. Nëse SHBA-të tërhiqen, vlerësohet se Europa duhet të shpenzojë rreth 3.5% të PBB-së, pra nivele të ngjashme me periudhën e Luftës së Ftohtë, për t’u përballur me Rusinë.
Edhe nëse pas vitit 2028 në SHBA vjen një president tjetër demokrat apo republikan tradicional, dëmi i shkaktuar nga mandati i dytë i Trump në besimin mes dy anëve të Atlantikut do të mbetet i vështirë të shërohet. Në këtë kuptim, marrëdhënia transatlantike tashmë ka hyrë në një epokë krejtësisht të re. Ndërkohë Shqipëria, edhe pse e quan me të vetën Amerikën “Partner Strategjik”, mbetet prapëseprapë, një ushtar i bindur që pret urdhrin e radhës nga telefoni i shtëpisë së Bardhë.