Autoritetet meksikane kanë zbuluar gjashtë koka të prera në një rrugë që lidh shtetet e qeta Puebla dhe Tlaxcala, në Meksikën qendrore – një zonë që deri më tani nuk ishte shoqëruar me dhunën ekstreme të karteleve të drogës.
Zbulimi makabër u bë në orët e para të së martës, teksa policia ka nisur hetimet për identifikimin e viktimave, të cilët janë burra, sipas Prokurorisë së Tlaxcala-s. Pranë kufomave, u gjet një batanije me një mesazh kërcënues të drejtuar bandave rivale, i nënshkruar nga një grup me emrin “La Barredora” – që do të thotë “Fshesa”.
Ky grup, i njohur pak në opinionin publik, është identifikuar më parë si aktiv në shtetin perëndimor të Guerrero-s, por nuk është e qartë nëse është përgjegjës për këtë masakër apo përse do të vepronte në këtë rajon.
Zona përreth nuk njihet për përplasje të dhunshme mes karteleve, por përballet me probleme të rënda me kontrabandën e karburantit – e njohur si huachicoleo – që gjeneron miliarda dollarë në vit për grupet kriminale.
Deri më tani, autoritetet federale nuk kanë dhënë koment zyrtar për ngjarjen, e cila ndodh në kohën kur presidentja Claudia Sheinbaum ka ndërmarrë një ofensivë të madhe ndaj trafikimit të fentanilit.
Masakra vjen në një kontekst më të gjerë dhune në Meksikë: vetëm në qershor, 20 trupa – katër prej tyre të decapituar – u gjetën në Sinaloa, ndërsa në maj, shtatë të rinj u vranë gjatë një feste kishtare në shtetin qendror Guanajuato.
Që prej vitit 2006, kur ushtria meksikane u përfshi zyrtarisht në luftën kundër karteleve, vendi ka përjetuar një spirale dhune me qindra mijëra të vrarë dhe dhjetëra mijëra të zhdukur. Rasti i fundit është një tjetër kujtesë se dhuna e organizuar mbetet një kërcënim i vazhdueshëm, edhe në rajonet më pak të prekura më parë.