FLASH :

Një tjetër tender i dyshimtë, 860 milionë lekë nga Mirlinda e AKSHI-t

Një tender i dyshimtë me vlerë qindra milionë lekë ka rënë sërish në duart e biznesmenit të njohur Laert Kasaj, i cili vetëm pak javë më parë u bë protagonist i një ngjarjeje të rëndë në Tiranë.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) shpalli fituese kompaninë RATECH, pjesë e R&M Group, në tenderin me objekt “Mirëmbajtja e sallës së monitorimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve”. Fondi limit i këtij tenderi ishte 79,996,200 lekë të reja pa TVSH ose rreth 960 milionë lekë të vjetra me TVSH, ndërsa vlera fituese u shpall 71,996,600 lekë pa TVSH ose rreth 860 milionë lekë të vjetra me TVSH. Në përqindje, kjo përbën 90% të fondit limit, një shifër tipike për tenderat e paracaktuar, ku nuk ka konkurrencë reale.

Dokumentet e tenderit të siguruara nga JOQ Albania tregojnë se në garë kanë marrë pjesë pesë kompani. Nga këto, tre ofruan çmime më të ulëta se kompania e Kasaj, por pavarësisht kësaj, ato u skualifikuan. Ndërkohë, një kompani tjetër nuk paraqiti fare ofertë, duke shtuar edhe më shumë dyshimet se procesi ishte i manipuluar që në fillim. Kjo është një skemë e njohur në tenderat publikë shqiptarë: firmat e “shokëve” futen për të rritur artificialisht numrin e pjesëmarrësve, por fituesi është vendosur paraprakisht.

RATECH, fituesja e tenderit, është e regjistruar formalisht në emër të Migen Kasajt, me administrator Laert Kasajn. Por sipas të dhënave, “de facto” pronar është vetë Laert Kasaj. Për të shmangur ekspozimin, ai në korrik 2024 ia dhuroi kompaninë të vëllait, ndërsa në praktikë vijon ta kontrollojë vetë. Ky manovrim juridik është përdorur shpesh nga biznesmenë të lidhur me pushtetin për të fshehur konfliktet e interesit dhe për të shmangur verifikimet e institucioneve.

Kjo aferë tenderash vjen vetëm pak kohë pas një episodi të bujshëm ku Kasaj u përfshi si viktimë. Më 21 korrik 2025, rreth orës 22:30, ai u dhunua brutalisht në kompleksin “Delijorgji” në Tiranë. Sipas burimeve, sulmuesit dyshohet të kenë qenë pronarët e barit “Stockholm”, përballë kompleksit, të cilët nuk e kanë përtypur mirë një denoncim të mundshëm të Kasajt pranë kryeministrit, lidhur me uzurpimin e hapësirave publike dhe vendosjen e tendave pa leje nga lokalet e zonës. Për këtë arsye, në rrethin e biznesit ai u etiketua si “spiun”.