FLASH :

Zjarrfikësit dhe prefekti i Fierit vënë në siklet Ramën: Kemi mungesë mjetesh!

Mungesa e mjeteve zjarrfikëse, kërkesa për rritje pagash dhe instalimi i hidrantesh në zonat e banuara ishin disa nga shqetësimet kryesore që u ngritën në takimin e zhvilluar paraditen e sotme në prefekturën e qarkut Fier. Në qendër të diskutimeve ishte situata alarmante e zjarreve që ka përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit.

Takimi u zhvillua me praninë e të gjithë drejtuesve të reparteve zjarrfikëse të gjashtë bashkive të qarkut Fier, përfaqësuesve të Drejtorisë Vendore të Policisë, si dhe këshilltarit të Ministrit të Brendshëm, Flamur Mamaj. Zjarrfikësit kërkuan mbështetje të menjëhershme logjistike dhe financiare, ndërsa evidentuan se shumë bashki nuk janë të pajisura me mjetet më bazike për të përballuar emergjenca të përmasave të mëdha.

Prefekti i qarkut, Arben Çuko, në një prononcim për mediat u shpreh se:

“Pavarësisht përkushtimit të strukturave zjarrfikëse, një nga sfidat më të mëdha mbetet mungesa e mjeteve, sidomos në bashkinë e Mallakastrës ku terreni është i thyer dhe shtrirja gjeografike e gjerë. Mungesa e hidranteve në qytete dhe zona të banuara e bën edhe më të vështirë ndërhyrjen në kohë.”

Nga ana tjetër, këshilltari i Ministrit të Brendshëm, Flamur Mamaj, theksoi nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë mes të gjitha institucioneve, strukturave të emergjencës dhe policisë:

“Po punojmë për një strategji të re kombëtare për menaxhimin e zjarreve, përfshirë edhe ndryshime ligjore. Një pjesë e zjarreve janë të qëllimshme dhe po punohet intensivisht për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët.”

Mamaj falënderoi gjithashtu qytetarët që kanë ndihmuar në terren për shuarjen e flakëve, veçanërisht në vatrat më të rrezikshme. Ai gjithashtu hodhi poshtë spekulimet se zjarret janë vënë për të liruar hapësira për ndërtimin e paneleve fotovoltaike në jug të vendit, duke theksuar se nuk ka prova konkrete për një skenar të tillë.

Takimi i sotëm është parë si një sinjal i fortë ndaj institucioneve qendrore për të marrë masa të menjëhershme në mbështetje të strukturave zjarrfikëse që po përballen me sfida ekstreme në një sezon të nxehtë dhe të rrezikshëm zjarresh.