Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, njoftoi të hënën mobilizimin e 4.5 milionë milicëve në të gjithë vendin, si përgjigje ndaj vendimit të SHBA për të shtuar forcat ushtarake pranë ujërave të Amerikës Latine dhe për të dyfishuar shpërblimin për informacion që çon në arrestimin e tij. “Asnjë perandori nuk do të prekë tokën e shenjtë të Venezuelës,” deklaroi ai në një fjalim drejtuar guvernatorëve dhe kryebashkiakëve.
Kjo lëvizje vjen pasi Reuters raportoi se tre shkatërrues të Marinës Amerikane dhe rreth 4,000 ushtarë janë në prag të mbërritjes pranë ujërave territoriale të Venezuelës. Megjithatë, një zyrtar i Pentagonit mohoi të martën se ndonjë anije amerikane ndodhet në zonë apo se janë dhënë urdhra për një dislokim të tillë.
Maduro i cilësoi kërcënimet amerikane si “të çuditshme, të ekzagjeruara dhe të kalbura”, ndërsa përsëriti se Venezuelës nuk do t’i cenohet sovraniteti. Ai shpalli nisjen e një “plani të posaçëm mbrojtjeje” me përfshirjen e milicisë në çdo fabrikë dhe vend pune në vend: “Raketa dhe armë për klasën punëtore, për të mbrojtur atdheun tonë,” theksoi presidenti.
Milicia Bolivariane, e themeluar nga Hugo Chávez në vitin 2005, është pjesë e Forcave të Armatosura Kombëtare dhe synon përfshirjen e popullit në mbrojtjen e kombit. Ministria e Mbrojtjes e Venezuelës deklaron se forcat e armatosura kanë mes 95,000 dhe 150,000 ushtarë aktivë dhe një milici kombëtare në rritje me qindra mijëra rezervistë të gatshëm.
Shtëpia e Bardhë reagoi përmes zëdhënëses Karoline Leavitt, e cila tha se presidenti Donald Trump është i gatshëm të përdorë “çdo element të fuqisë amerikane” për të ndalur trafikun e drogës dhe për të sjellë para drejtësisë ata që e drejtojnë. Ajo përsëriti qëndrimin e SHBA se Maduro nuk është një president legjitim.
Uashingtoni dhe Karakasi nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike zyrtare që nga viti 2019. Ndërkohë, disa javë më parë, administrata Trump dyfishoi shpërblimin për kapjen e Maduros në 50 milionë dollarë, duke e cilësuar atë si një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë dhe lider të “Kartelit të Diellit”.
Qeveria venezueliane ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si shpifje dhe kërcënime të përsëritura. Figura kyçe të regjimit Chavist, përfshirë ministrin e Brendshëm Diosdado Cabello dhe ministrin e Mbrojtjes Vladimir Padrino López, i kanë quajtur akuzat amerikane “shpikje” dhe “qesharake”. Ndërkohë, sipas renditjes së vitit 2025 nga Global Fire Power, Venezuela renditet e 50-ta për fuqi ushtarake nga 145 vende, ndërsa SHBA mban vendin e parë.