FLASH :

Ilir Beqaj lë spitalin në QSUT dhe rikthehet në burgun e Durrësit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është larguar nga ambientet e spitalit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe është rikthyer në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës. Burime zyrtare konfirmojnë se rikthimi i tij në qeli është bërë pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore.

Beqaj ndodhej prej disa javësh në QSUT nën mbikëqyrje mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore që kishin çuar në transferimin e tij nga burgu. Pas stabilizimit të gjendjes, ai është kthyer për të vijuar vuajtjen e masës së sigurisë “arrest në burg”, e caktuar ndaj tij në kuadër të hetimeve për aferën e koncesioneve në shëndetësi. Hetimet ndaj tij vijojnë nga SPAK, ndërsa emri i Beqajt është lidhur me procedura të dyshimta për inceneratorët dhe menaxhimin e kontratave koncesionare gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.