Jonathan Rowe dhe Adrien Rabiot janë përjashtuar përkohësisht nga skuadra e parë e Marseille pas një përplasjeje të ashpër në dhomat e zhveshjes, menjëherë pas humbjes 1-0 ndaj Rennes.
Sipas të përditshmes rajonale “La Provence”, fituesi i Euro U21, Rowe, dyshohet se ka goditur me shuplakë Rabiotin.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 23:00, ku gazetarët që ndodheshin pranë zonës së intervistave dëgjuan zëra të lartë nga dhomat e zhveshjes së Marseille.
Gjithçka nisi kur Rowe, i ndjerë i sulmuar nga komentet mbi paraqitjen e tij në ndeshje, dyshohet se reagoi duke goditur mesfushorin francez.
Situata degjeneroi shpejt në një konfrontim fizik, para se trajneri Roberto De Zerbi, stafi i tij dhe drejtori sportiv Mehdi Benatia të ndërhynin për të qetësuar gjakrat.
Marseille e nisi sezonin 2025-2026 me një disfatë zhgënjyese ndaj “Stade Rennais”, duke pësuar gol nga Ludovic Blas në kohën shtesë, pavarësisht dominimit në posedim dhe një lojtari më shumë në fushë.
Klubi ende nuk ka bërë të ditur se sa do të zgjasë përjashtimi i përkohshëm i dy lojtarëve, ndërkohë që Les Phocéens përballen me Paris FC të shtunën e ardhshme në “Stade Vélodrome”.