FLASH :

Momenti kur turistët vrapojnë nga “Stuhia e Satanit” në Spanjë, ndërsa vendi digjet nga zjarret

Europa po përballet me një valë ekstreme moti dhe katastrofash natyrore. Në Spanjën jugore, në Costa Granadina, një fenomen i rrallë atmosferik i quajtur “Stuhia e Satanit” përfshiu papritur plazhin, duke detyruar turistët të largohen me panik ndërsa erërat e forta ngritën rërë, çadra dhe shezlongë në ajër. Temperaturat arritën në 40°C në vetëm pak minuta, ndërsa dy tornado dhe vorbulla uji u formuan mbi zonën e Motril dhe Almunecar. Pesë persona u shpëtuan nga deti pasi goma dhe dërrasat e fryra u tërhoqën nga rrymat e fuqishme.

Ndërkohë, Spanja dhe Portugalia po digjen nga zjarret më të rënda të dekadës, të nxitura nga një valë e nxehti që shkon deri në 45°C. Në Spanjë janë djegur mbi 300,000 hektarë tokë dhe katër persona kanë humbur jetën, përfshirë një zjarrfikës. Në veri, në rajonin e Galicias, 12 zjarre të mëdha janë ende aktive pranë qytetit Ourense. Kryeministri Pedro Sanchez ka vendosur të dërgojë 1,900 ushtarë në terren, në atë që cilësohet si një nga ndërhyrjet më të mëdha të mbrojtjes civile në historinë europiane. Situata është po aq e rëndë edhe në Portugali, ku është formuar një tornado zjarri dhe dy zjarrfikës humbën jetën gjatë operacioneve të shpëtimit.

Zjarre të mëdha janë regjistruar edhe në Itali, Greqi dhe Turqi, ku temperaturat ekstreme dhe erërat e fuqishme kanë sjellë pasoja katastrofike. Në Turqi, 17 persona kanë humbur jetën nga flakët, përfshirë vullnetarë dhe punonjës të pyjeve. Ndërsa në Greqi, mbi 7,000 persona janë evakuuar nga rajone të ndryshme, përfshirë ishujt Zakynthos dhe Kefalonia. Situata paraqitet kritike në të gjithë rajonin mesdhetar, me autoritetet që përballen me një emergjencë të vërtetë klimaterike.