Roma nuk ka arritur të bindë Jadon Sancho për një transferim në Itali, pasi anglezi ka refuzuar për momentin ofertën e verdhekuqve. Edhe interesimi i Besiktas për sulmuesin e Manchester United mbetet pezull.
Kështu, drejtuesit e Romës kanë lëvizur shpejt në merkato dhe kanë arritur marrëveshje me Aston Villa për Leon Bailey. Xhamajkani 28-vjeçar do t’i bashkohet klubit italian fillimisht në formë huazimi për 3 milionë euro, ndërsa opsioni i blerjes fiksohet në 22 milionë euro plus bonuset.
Verdhekuqtë nuk ndalen këtu. Ata po shqyrtojnë edhe pistën Jonathan Rowe të Olympique Marseille, pas tensioneve të tij me Adrien Rabiot. Për 21-vjeçarin ka konkurrencë të fortë nga disa klube të Premier League dhe Bologna.