Dy vatra aktive zjarri janë regjistruar pasditen e kësaj të marte në qarkun e Vlorës, duke shkaktuar shqetësim për qytetarët dhe turistët.
Një prej vatrave ka shpërthyer sërish në fushën e mbetjeve urbane të qytetit të Vlorës. Për shkak të erës, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke gjeneruar një sasi të konsiderueshme tymi toksik që ka mbuluar zonën përreth. Zjarrfikësit ndodhen në terren dhe po punojnë për neutralizimin e zjarrit. Përveç ndotjes së ajrit, shqetësim shtesë mbetet prania e turistëve në qytet, të cilët rrezikojnë ekspozimin ndaj ndotjes nga tymi.
Ndërkohë, një tjetër vatër është shfaqur në fshatin Lapardha të bashkisë së Selenicës. Zjarri ka përfshirë kodrat mbi fshat dhe po i afrohet banesave. Banorët, së bashku me zjarrfikësit e zonës, janë angazhuar për të izoluar flakët dhe për të parandaluar dëme në pronat e tyre.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin pranë zonave të përfshira nga tymi dhe të njoftojnë menjëherë për çdo shpërthim të ri flakësh.