FLASH :

Tendai Ndoro vdes në moshën 40-vjeçare: Tragjedi, ish-futbollisti ndërkombëtar gjendet i vdekur në banesën e tij në Afrikën e Jugut

Futbolli afrikan është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të ish-sulmuesit të Zimbabvesë, Tendai Ndoro, në moshën 40-vjeçare. Ai u gjet i vdekur të hënën në banesën e tij në Johannesburg, Afrikën e Jugut.

Klubi i tij i dikurshëm, Orlando Pirates, konfirmoi lajmin me një deklaratë prekëse: “Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen nga jeta të ish-sulmuesit tonë Tendai Ndoro. Klubi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve të tij në këtë moment të vështirë.”

Ndoro kishte një karrierë të pasur si në nivel klubesh ashtu edhe ndërkombëtar. Ai përfaqësoi kombëtaren e Zimbabvesë në 14 ndeshje mes viteve 2013 dhe 2017, duke shënuar 5 gola. Karrierën e nisi në klubin Nico United në Botsvana, ndërsa u bë i njohur në vendin e tij me ekipin Chicken Inn FC.

Falë formës së tij të shkëlqyer, Ndoro u transferua në vitin 2015 tek gjigandët e futbollit afrikan, Orlando Pirates. Më pas, ai luajti edhe për Al-Faisaly, Ajax Cape Town, Highlands Park dhe Al-Orouba. Gjatë sezonit 2016–17, ishte pranë fitimit të “Golden Boot” në Afrikën e Jugut, ndërsa tifozët dhe shokët e skuadrës e kishin pagëzuar me pseudonimin “Fire”, për prekin e tij të zjarrtë përpara portës.

Po atë vit, Ndoro ishte pjesë e kombëtares së Zimbabvesë në Kupën e Kombeve të Afrikës 2017, ku “Warriors” u përballën me një grup të vështirë që përfshinte Senegalin, Tunizinë dhe Algjerinë.

Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende i ditur, por raportimet paraprake tregojnë se Ndoro kishte vuajtur nga probleme shëndetësore. Ndarja e tij e parakohshme nga jeta lë një boshllëk në zemrat e tifozëve dhe komunitetit futbollistik në Afrikë.