FLASH :

Erion Veliaj nxjerr padashje thagma juridike me të cilën Nesti Angoni e vuri me shpatulla pas muri

Erion Veliaj ka tentuar të viktimizohet përballë drejtësisë duke kërkuar pavlefshmërinë e hetimeve të nisura ndaj tij nga SPAK. Por, në përpjekjen për të diskredituar denoncimin anonim që nisi procedimin penal ndaj tij, ai ka bërë një autogol spektakolar: ka publikuar vetë dokumentin që e ekspozon si një politikan të lidhur ngushtë me oligarkinë e ndërtimit, i zhytur në pasuri të pashpjegueshme, nepotizëm dhe favore të dyshimta.

Një letër anonime e bëër vetëm për mediat shpreh:

“Të nderuar,

Jam një qytetar i Tiranës që dua t’ju vë në dijeni të disa fakteve që i shoh si kompromentuese për kryetarin e Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, dhe marrëdhëniet e tij me pronarin e shoqërisë Agikons, Genti Sula.

Kur Erion Veliaj u bë ministër, mori një banesë në bllokun Kodra e Diellit në pronësi të Genti Sulës, dhe gruaja e tij u bë zëvendësministre te Ministria e Punës (kjo banesë më vonë është shtuar me një kat dhe me ashensor të veçantë). Që nga ajo kohë, marrëdhënia e të dyve është e pandarë.

Shoqëria Agikons, me pronar Genti Sulën, ka ‘fituar’ një pafundësi ndërtimesh në Tiranë: shkolla te ish-sheshi Shqiponja, Parku Rinia, godina e Operës, Materniteti, spitali i ri, godina pranë Universitetit Bujqësor dhe tani flitet edhe për Teatrin Kombëtar.

Nuk mund të them se si janë fituar kontratat për këto ndërtime…

Sot, Erion Veliaj ka në pronësi 3 vila në fshatin rezidencial në Qerret, Kavajë, të ndërtuara nga Agikons-i i Genti Sulës. Një vilë e posedon i vëllai i tij, një vetë Erion Veliaj dhe të dyja janë të rikonstruktuara; e treta është rrafshuar. Këto vila kanë një vlerë tregu (së bashku me rikonstruksionin) që shkon rreth 500 mijë euro.

Vila e tretë është rrafshuar për të krijuar më shumë hapësirë – pra, është hedhur në plehra një investim prej 500 mijë eurosh. Për prishjen e saj kanë punuar makineritë e Ujësjellësit të Kavajës. A ka një leje për këtë prishje? Apo ndonjë faturë për punimet?

Të gjitha këto ngrenë pyetjen: Ku i gjeti paratë Erioni? A ka dokumenta të blerjeve, pagesave bankare, apo pronësia ka mbetur formalisht te ndërtuesi?

Këto janë disa probleme që mendoj se tregojnë shumë.

Uroj të kem dhënë një informacion të vlefshëm në luftën kundër korrupsionit.

Nesti Angoni”

Në vend që të rrëzojë përmbajtjen e “shkrimit amator” të dërguar nga “Nesti Angoni”, Veliaj e ka legjitimuar me dorën e tij. Dokumenti, edhe pse i paautorizuar, përmban një varg të dhënash të vërteta dhe lehtësisht të verifikueshme: shtëpia e tij në Kodrën e Diellit, emërimi i bashkëshortes si zv.ministre, vilat në kompleksin luksoz në Qerret të ndërtuara nga Agikons – kompania që ka përfituar dhjetëra tendera nga Bashkia e Tiranës – dhe përdorimi i mjeteve shtetërore për prishje dhe rikonstruksione private.

Në vend që të hedhe poshtë “thashethemet”, Veliaj përforcon mesazhin e tyre: po, ai ka një sërë pasurish luksoze; po, gruaja e tij është promovuar në poste qeveritare; po, kompania e mikut të tij Genti Sula përfiton kontratë pas kontrate nga bashkia. Ai nuk mund t’i mohojë dot këto, sepse janë fakte të dokumentuara. Çështja nuk është më nëse “Nesti Angoni” ekziston – por nëse Erion Veliaj mund të shpjegojë burimin e pasurive që ka grumbulluar në më pak se një dekadë karrierë publike.

Veliaj kërkon ta portretizojë veten si viktimë e një shkrimi amatoresk, por në thelb e pranon se dokumenti përmban të vërteta: përmend emra realë, prona reale, kompani reale dhe marrëdhënie që kanë sjellë përfitime të mëdha financiare. Ai pranon gjithashtu që vila në Qerret është “rrënuar” me mjete publike – një krim në vetvete nëse provohet. Çfarë më shumë do të duhej për të nisur një hetim?

Publikimi i këtij dokumenti – që përpiqet ta quajë “farsë” – është paradoksalisht prova më e fortë që Veliaj ka ndonjëherë dhënë kundër vetes. Me dorën e tij, ai ka pranuar që përmbajtja e denoncimit është e verifikueshme, e detajuar, dhe përmban një të vërtetë më të thellë se çdo fabul juridike: një rrjet korrupsioni, pasurish të pajustifikuara dhe bashkëpunimi të dyshimtë mes politikës dhe ndërtuesve të Tiranës.

Në vend që të shpëtojë, Veliaj sapo ka firmosur versionin e parë të aktakuzës morale ndaj vetes. Dhe këtë nuk e bëri SPAK-u – e bëri vetë.

letra anonime theksonte