Një ndjekje dramatike është regjistruar në veri të qytetit St Helens, Britani, ku një helikopter i policisë fluturoi vetëm disa metra mbi tokë për të ndjekur një motoçikletë scrambler të dyshuar si e vjedhur, duke kaluar nëpër fusha dhe zona të rrezikshme. Pamjet tronditëse janë shpërndarë në rrjetin TikTok, duke shkaktuar reagime të forta në publik.
Pamjet virale nxisin hetim nga autoritetet ajrore
Në videon e publikuar, helikopteri shihet teksa fluturon në mënyrë jashtëzakonisht të ulët, ndërsa ndjek nga afër një person në një motoçikletë që lëviz në mënyrë të rrezikshme përmes fushave dhe afër një dige.
Sipas Policisë së Merseyside, drejtuesi i motoçikletës ishte duke ecur me shpejtësi të lartë, kishte hipur në trotuare dhe pothuajse kishte përplasur një kalimtar. Në një moment, në motoçikletë është parë edhe një person i dytë, teksa ata përpiqeshin të largoheshin nga policia në autostradën A580.
Motoçikleta doli jashtë rrugeve kryesore dhe futet në fusha, por më pas drejtuesi mbeti pa karburant dhe u arrestua nga oficerët në terren. Motoçikleta u sekuestrua nga policia.
NPAS: Po zhvillojmë hetim të brendshëm
Shërbimi Kombëtar Ajror i Policisë (NPAS) tha se po shqyrton seriozisht ngjarjen, në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil për të siguruar që të gjitha protokollet ajrore janë ndjekur.
“Jemi të vetëdijshëm për videon që po qarkullon në rrjetet sociale dhe për nivelin e interesit që ka gjeneruar. Rrethanat po shqyrtohen në mënyrë të detajuar,” deklaroi Chief Superintendent Fiona Gaffney, drejtuesja operacionale e NPAS.
Teknologjia e re: Helikopterë pa pilot për misione të zgjatura
Ndërkohë që NPAS përballet me presion për efikasitet dhe siguri, po teston një helikopter të pa pilot (dron industrial) – Schiebel Camcopter S-100, i cili mund të fluturojë deri në 18,000 këmbë lartësi, me shpejtësi 185 km/h dhe deri në 6 orë pa ndërprerje.
Testimet e fluturimeve të natës po zhvillohen mbi kanalin Bristol, ndërsa në të ardhmen këto pajisje mund të qëndrojnë në ajër deri në 12 orë.
“Me përparimin e teknologjisë, rriten edhe mundësitë për mbështetje ajrore në polici,” tha David Walters, drejtues i inovacionit në NPAS.
“Kjo mund të sjellë një flotë të përzier të helikopterëve tradicionalë, avionëve dhe mjeteve ajrore pa pilot – duke e bërë shërbimin ajror më efikas dhe më të qëndrueshëm.”
Ai shtoi se 30% e thirrjeve në NPAS janë për kërkime të personave të zhdukur, një detyrë për të cilën këto dronë të avancuar do të ishin jetikë.
Pamjet spektakolare të një helikopteri policie që fluturon mbi fusha në ndjekje të një motoçiklete kanë ndezur debat mbi sigurinë ajrore dhe risitë teknologjike në shërbimin policor. Hetimet janë në zhvillim dhe mund të sjellin ndryshime në rregulloret për ndjekjet ajrore në terren të hapur.