Një 25-vjeçar është arrestuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Korçë, pasi dyshohet se ka përdorur një kartëmonedhë të falsifikuar për të paguar furnizimin me karburant në një pikë shitjeje.
Pas kallëzimit të bërë nga punonjësi i pikës së karburantit, se një shtetas kishte paguar me një kartëmonedhë të dyshuar si e falsifikuar, policia ka nisur menjëherë veprimet hetimore. Si rezultat, është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga K. B., 25 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesën e të arrestuarit, janë gjetur dhe sekuestruar disa kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara, si dhe 4 pasaporta të deklaruara të humbura nga i riu, të cilat po hetohen për qëllimin e mbajtjes së tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj të riut rëndojnë akuzat për “Falsifikim të monedhave” dhe “Falsifikim të vulave, stampave apo formularëve”.