FLASH :

Arrestohet në Florida mamaja shqiptare që kishte fshehur të birin, i shpallur në kërkim

“Familja mbi gjithçka”, kishte shkruar në Facebook 42-vjeçarja Vilma Vneshta, krahas një fotoje me të birin. Prokurorët thonë tani se pikërisht kjo përkushtim ndaj familjes e çoi në pranga, e akuzuar për ndihmë ndaj djalit të saj, 20-vjeçarit Alvi Limani, që po kërkohej nga autoritetet pas një aksidenti vdekjeprurës nga garat rrugore në New Jersey.

Vneshta, një nënë shqiptaro-amerikane nga Sunny Isles Beach, u arrestua më 17 korrik nga policia e North Miami, së bashku me Limin, i cili ishte shpallur në kërkim nga Policia Shtetërore e New Jersey. Të dhënat tregojnë se Limani ishte me një mbajtëse qafe në momentin e arrestimit dhe të dy u vendosën në qendrën korrektuese Turner Guilford Knight. Një ditë më pas, një gjyqtar në Miami-Dade vendosi që kishte bazë të mjaftueshme për të mbajtur të dy në paraburgim, pasi u konfirmua se Vneshta kërkohej edhe në Holmdel, New Jersey, për një akuzë penale. Hetuesit thanë se Limani kishte tentuar të arratisej në Miami për t’u larguar nga vendi me ndihmën e nënës së tij.

Një video e postuar në TikTok tregonte të dy me pranga në këmbë gjatë transportimit. Më pas ata u ekstraduan drejt New Jersey-t dhe më 6 gusht u transferuan në Qendrën Korrektuese të Qarkut Middlesex.

Sipas autoriteteve, më 29 qershor në qytetin Woodbridge të New Jersey-t, Limani ndodhej në timonin e një BMW X3, duke bërë garë me 23-vjeçarin Jeter Ogando në një BMW M5. Rreth orës 19:00, SUV-i i Limas u përplas fillimisht me një Ford SUV dhe më pas me BMW-në e Ogandos, përpara se të dilte nga rruga, të përplasej me disa pemë dhe të përmbysej. Në makinën e Limas ndodheshin tre pasagjerë: Albion Hysenaj, 20 vjeç, Emily Harrington, 19 vjeçe dhe një tjetër viktimë 21-vjeçare. Hysenaj dhe pasagjeri tjetër mashkull u hodhën jashtë mjetit. Hysenaj ndërroi jetë më vonë në spitalin “Robert Wood Johnson University”, ndërsa 21-vjeçari tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Policia raportoi se Limani, i cili po drejtonte automjetin me një leje të pezulluar, u largua nga vendi i aksidentit me Harringtonin, duke lënë pas viktimat. Ai përballet me një listë të gjatë akuzash, përfshirë vrasje të rënduar, vrasje me makinë, manipulim provash, largim me vetëdije nga vendi i një aksidenti fatal, dhe disa akuza të tjera për drejtim mjeti pa leje.

Vilma Vneshta akuzohet për pengim të drejtësisë, përçmim të gjykatës dhe ndodhet në burg pa të drejtë lirimi me kusht. Ndërkohë, Ogando – drejtuesi tjetër i përfshirë në garë – përballet me akuza për vrasje me makinë dhe rrezikim të të tjerëve, ndërsa Emily Harrington për pengim të drejtësisë dhe konspiracion.

Autoritetet e New Jersey-t vazhdojnë hetimet dhe u bëjnë thirrje qytetarëve që kanë informacion të kontaktojnë Byroja Hetimore të Stacionit të Holmdel.