FLASH :

28-vjeçari shqiptar arratiset nga spitali i burgut në Greqi! Operacion masiv policor në ndjekje

Policia greke ka publikuar fotografinë e 28-vjeçarit shqiptar, i cili u arratis pak ditë më parë nga klinika kirurgjikale e Spitalit të Përgjithshëm në Kostur, ku ndodhej nën mbikëqyrje për trajtim mjekësor.

Sipas autoriteteve, ai ishte arrestuar së fundmi për vepra penale që përfshijnë posedim droge dhe mosbindje ndaj forcave të rendit. Hetimet paraprake zbuluan se ndaj të riut kishte dy vendime të formës së prerë: një nga Gjykata e Apelit të Selanikut që e dënonte me 12 vjet burg dhe 50 mijë euro gjobë për shkelje të ligjit për drogën, si dhe një tjetër nga Këshilli i Apelit të Selanikut që urdhëronte arrestimin e tij për të njëjtën vepër.

Arratisja e 28-vjeçarit ka ngjallur reagime të forta në Greqi dhe veçanërisht në zonën e Kosturit, ku është ndërmarrë një operacion i gjerë policor. Aktualisht janë shtuar ndjeshëm patrullat e policisë dhe ushtrisë përgjatë kufirit me Shqipërinë, ndërsa hetimet për mënyrën se si i burgosuri mundi të largohej në rrethana të paqarta janë ende në vijim.