Kryeministri britanik Keir Starmer ka hyrë në një përplasje të drejtpërdrejtë me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me të ardhmen e Ukrainës dhe anëtarësimin e saj në NATO, ndërsa pritet të takohen sot në Shtëpinë e Bardhë për bisedime vendimtare me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderë të tjerë europianë.
Starmer ka hedhur poshtë paralajmërimin e Trump se “nuk do të ketë anëtarësim në NATO për Ukrainën” dhe se “Krimea nuk do t’i kthehet më Kievit”, duke këmbëngulur se pozicioni i Britanisë nuk ka ndryshuar dhe se Ukraina është në “rrugë të pakthyeshme drejt NATO-s dhe BE-së”. Nga ana tjetër, Trump ka theksuar se Zelensky “mund ta ndalë menjëherë luftën nëse do”, por vetëm duke pranuar kërkesat territoriale të Putinit, përfshirë dorëzimin e plotë të Donbasit dhe Krimesë.
Takimi në Uashington vjen një javë pasi Trump zhvilloi një samit të bujshëm me Vladimir Putinin në Alaskë, ndërsa Europa po përpiqet të mbajë të bashkuar qëndrimin e saj përballë kërkesave të Kremlinit. Zelensky, i shoqëruar nga liderë të vendeve kryesore të BE-së, është paralajmëruar të mos “zemërojë” Trumpin, pas përplasjes së tyre të mëparshme në Shkurt që çoi në ndërprerjen e ndihmës amerikane për Kievin.
Ndërkohë, lufta në Ukrainë vijon pa ndërprerje. Natën e kaluar, Kharkivi u godit sërish nga dronë dhe raketa ruse, me viktima në mesin e civilëve, përfshirë fëmijë. Zelensky ka deklaruar se nuk do të pranojë dorëzimin e territorit ukrainas dhe ka theksuar se “paqja duhet të jetë e drejtë dhe e qëndrueshme”, ndërsa zyrtarët britanikë këmbëngulin se çdo marrëveshje paqeje duhet të miratohet vetëm nga qeveria ukrainase.