Një aksident tragjik ka ndodhur rreth orës një të mesditës së sotme, në autostradën Egnatia pranë Komotinisë në lindje të Greqisë me viktima 3 shtetas shqiptarë.
Aksidenti ka ndodhur pasi një kamion është përplasur me dy makina pak para stacionit të Iasmës ku paguhen taksat e rrugës.
Dy automjetet me pasagjerë kanë ulur shpejtësinë për shkak të radhës së krijuar, ndërsa kamioni nuk ka mundur të frenojë për arsye ende të panjohura dhe është përplasur me to.
Nga makina e parë që goditi kamioni, 3 nga 4 pasagjerët u dogjën brenda saj . Ata janë një burrë 59-vjeçar, një burrë 61-vjeçar dhe një grua 57-vjeçare, ndërsa një grua 49-vjeçare mbijetoi dhe doli vetë nga makina. Të gjithë ishin shtetas shqiptarë me leje qëndrimi në Greqi. Informacionet paraprake thonë se jetonin në Athinë.
Në makinën tjetër ishin të afërmit e tyre grekë. Ata janë shoferi 36-vjeçar, një pasagjer 28-vjeçar dhe dy djem të moshës 4 dhe 6 vjeç, të cilët u dërguan në spitalin e Komotinit si masë paraprake.
Lidhur me aksidentin e ndodhur në autostradën e Ksanthit, viktimat janë:
- Viktor Bushi, i datëlindjes 1966, banues në Metamorfosi, Athinë.
- Klarenc Kacaj, i datëlindjes 1964, banues në Dhrapetsoná, Athinë.
- Marianka Bushi Aliraj, datëlindja 1968.
Ndërsa e plagosur ndodhet në spital Mardalena Kacaj, e datëlindjes 1976. Ajo ndodhej në sediljen pas drejtuesit të automjetit dhe u nxor nga kalimtarët që iu erdhën në ndihmë.