Izraeli është përfshirë nga një prej protestave më të mëdha që nga fillimi i luftës në Gaza, teksa qindra mijëra qytetarë u mblodhën të dielën në mbrëmje në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv, për të kërkuar lirimin e 50 pengjeve që vazhdojnë të mbahen në Rripin e Gazës.
Sipas organizatorëve, mbi 400,000 qytetarë morën pjesë në tubimin qendror në Tel Aviv, ndërsa më shumë se një milion u angazhuan në protesta dhe grevë kombëtare në gjithë vendin. Qytetarët bllokuan rrugë kryesore, mbyllën biznese dhe protestuan edhe para banesave të ministrave të qeverisë.
Protesta nisi simbolikisht në orën 06:29 të mëngjesit, në të njëjtën orë kur Hamasi nisi sulmin e përgjakshëm ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Organizatorët paralajmëruan një “pauzë emergjente” të jetës publike deri në lirimin e pengjeve.
Një moment i fortë emocional gjatë protestës ishte publikimi i një videoje të re të Matan Zangauker, një prej pengjeve, i cili u rrëmbye nga Kibbutz Nir Oz dhe duket me kokë të rruar, duke u drejtuar motrave dhe të dashurës së tij me fjalët:
“Më mungoni, dhe nëse Zoti do, do të takohemi së shpejti… Dilni dhe bëni zhurmë, siç dini vetëm ju.”
Në vijim, nëna e tij, Einav Zangauker, mbajti një fjalim emocionues ku kritikoi qeverinë izraelite për mënyrën si po menaxhon situatën:
“E kanë kthyer luftën më të drejtë në një luftë të kotë. Nëse Netanyahu do një marrëveshje, le ta vendosë mbi tryezë – përndryshe është duke gënjyer.”
Sipas sondazheve, shumica e izraelitëve mbështesin një marrëveshje armëpushimi në këmbim të lirimit të pengjeve, por negociatat e fundit u prishën në korrik, kur SHBA dhe Izraeli u tërhoqën nga bisedimet në Doha, duke akuzuar Hamasin për mungesë serioziteti.
Familjarët e pengjeve, së bashku me Këshillin e Tetorit, që përfaqëson familjet e viktimave të luftës, shpallën protesta pa afat dhe paralajmëruan ngritjen e një kampi proteste në kufi me Gazën, të quajtur “Waypoint 50”, për të mbajtur presionin ndaj qeverisë.
Presidenti izraelit Isaac Herzog shprehu mbështetje për familjet e pengjeve gjatë një vizite në protestë, duke deklaruar se “i gjithë populli i Izraelit dëshiron që pengjet të kthehen në shtëpi”.
Megjithatë, kryeministri Benjamin Netanyahu reagoi ashpër, duke thënë:
“Ata që thërrasin për fundin e luftës pa mposhtur Hamasin vetëm e forcojnë Hamasin dhe e vonojnë lirimin e pengjeve. Ata po sigurojnë që tmerri i 7 tetorit të përsëritet.”
Ndërkohë, ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e cilësoi grevën si “një manovër politike cinike mbi shpinën e pengjeve”, duke e lidhur me lëvizjen e vjetër anti-qeveritare.
Protesta vazhdoi përgjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes, ndërsa policia izraelite konfirmoi 38 arrestime për prishje të rendit. Greva nuk u mbështet nga sindikata më e madhe Histadrut, por shumë kompani teknologjike, universitete dhe firma ligjore u bashkuan me nismën, duke pezulluar punën ose duke i lejuar punonjësit të protestojnë.
