FLASH :

Madonna shfaqet në Itali për të festuar 67-vjetorin, shoqëruar nga i dashuri shumë vite më i ri

Mbretëresha e pop-it, Madonna, ka zgjedhur këtë vit një nga ngjarjet më spektakolare të Italisë për të festuar 67-vjetorin e lindjes: Palio di Siena.

Pas një ndalese të shkurtër në Firence, ku qëndroi me një grup të vogël miqsh të afërt, Madonna mbërriti pasditen e së premtes në qytetin toskan të Sienës, pikërisht në kohë për të ndjekur Corteo Storico dhe garën legjendare të kuajve, të njohur si “carriera”, kushtuar Zonjës së Assuntës.

Ikona botërore e muzikës e ndoqi garën emocionuese nga Palazzo Pannocchieschi d’Elci, një rezidencë historike që ofron pamje të drejtpërdrejtë mbi pikën e nisjes së kuajve – një privilegj i rrallë për çdo vizitor.
Në mesin e rreth 30 të ftuarve të zgjedhur, pritet të jetë edhe këngëtari legjendar Sting, mik i vjetër i Madonnës dhe gjithashtu një dashamirës i Italisë.

Pas përfundimit të Palios, grupi do të zhvendoset në Grand Hotel Continental, i vetmi hotel me pesë yje në zemër të Sienës, ku festimet do të vijojnë në një atmosferë luksoze dhe të rezervuar.
Kjo nuk është hera e parë që Madonna zgjedh Italinë për ditëlindjen. Vitin e kaluar, ajo festoi 66-vjetorin në Pompei, duke vizituar gërmimet arkeologjike dhe duke dëshmuar sërish dashurinë e saj për vendet historike dhe të mbushura me magji në “Bel Paese”.