Një aksident shokues ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën turistike të Lungomares në Vlorë, ku një automjet tip Mercedes ka përplasur një vajzë të mitur përpara dhjetëra kalimtarëve dhe pushuesve që po shëtisnin përgjatë bregdetit.
Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë forcat e Policisë dhe autoambulanca, të cilët i dhanë ndihmën e parë vajzës së plagosur dhe e transportuan me urgjencë drejt spitalit.
Sipas dëshmitarëve, momenti ka qenë dramatik, me njerëz që bërtisnin dhe përpiqeshin të ndalonin makinën, ndërsa të tjerë ndihmonin të miturën në tokë. Shkalla e lëndimeve të saj ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shoferi ka humbur kontrollin e mjetit, ndërsa nuk përjashtohet as shpejtësia tej normave të lejuara.







